Përderisa protestat e punëtorëve zhvilloheshin para godinës së qeverisë, brenda saj kryeministri Zaev me dy ministrat mbajti takim me sindikalistët. Shefi i ekzekutivit tha se ngritja e pagës minimale nga sa ishte 9.500 denarë në 12 mijë denarë, nuk është e mjaftueshme për fuqinë punëtore.
Ai zotohet se në vitin 2019 edhe pagën mesatare do ta rrisë në 30 mijë denarë, e cila aktualisht është 24 mijë. Zaev thotë se kjo është politika e qeverisë për ngritjen e standardit të jetesës duke bërë presion në tregun e punës që me rritjen e pagës minimale të krijojë kushte edhe në rritjen e niveleve tjera të pagave.
“E gjithë kjo duhet të ketë tendencë që t’i rritë të gjitha nivelet e pagave në Maqedoni. Prandaj sot i gëzohemi faktit se paga mesatare tani është 24 mijë denarë. Qëllimi është që deri në fund të këtij mandati, madje besoj se edhe gjatë vitit 2019 kjo mund të realizohet në baza të qëndrueshme dhe afatgjate, jo vetëm për populizëm politik, por paga mesatare të arrihet në 30 mijë denarë”, tha Zoran Zaev,kryeministër i Maqedonisë.










