Zaev: S’ka negociata për identitetin dhe gjuhën! Osmani: Duhet të ndryshohet qëndrimi i Buçkovskit për Bullgarinë

Pa marrë parasysh rezultatin nga Këshilli i ministrave që do të mbahet më 8 dhjetor, duhet të vazhdojnë negociatat me Bullgarinë që të gjendet zgjidhje për problemet, deklaroi kryeministri, Zoran Zaev. Me këtë paralajmërohet se Maqedonia këtë muaj nuk do të fillojë negociatat me BE, ndërsa si tajming të ri për fillim të mundshëm të negociatave e përmendi verën e ardhshme.

Zaev tha se në këto përpjekje merr pjesë edhe përfaqësuesi special për negociatat me Bullgarinë, Vllado Buçkovski i cili, siç theksoi, do të angazhohet për implementim të suksesshëm të Marrëveshjes me fqinjin lindor. Tha se Komisioni historik tashmë ka arritur progres dhe vitin e ardhshëm do të fillojë ndryshimi i librave shkollor.

“Askush nuk negocion për identitetin dhe gjuhën maqedonase. Kjo është e drejta jonë e vetëvendosjes dhe gjithçka në lidhje me atë çështje është pritja jonë që më në fund të zbatojmë marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë, ndërsa kjo është të flasim për gjuhën maqedonase në përputhje me Kushtetutën e RMV dhe për gjuhën bullgare në përputhje me Kushtetutën e Bullgarisë”, u shpreh kryeministri i vendit, Zoran Zaev.

Por çfarë qëndrimesh përfaqëson Buçkovski i cili në intervistë për median bullgare ku ka deklaruar se Maqedonasit ekzistojnë nga viti 44, ndërsa Bullgarët janë popull më i vjetër?! Ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, thotë se tani duhet të ndryshojë qëndrimet.

“Deri dje z. Buçkovski ishte profesor dhe qytetar i lirë i cili mund t’i shprehë qëndrimet e tij megjithatë prej dje me vendim të Qeverisë u emërua përfaqësues special i cili do të marrë instruksione dhe qëndrime prej MPJ-së dhe Qeverisë, që do të thotë se do të duhet t’u përshtatet interesave të shtetit në këtë moment”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Vetëm disa ditë para mbajtjes së Këshillit të ministrave, Eurokomesari, Oliver Varhelji kërkoi nga Maqedonia që t’i përgjigjet kërkesave të Bullgarisë që të hapen negociatat për anëtarësim, që shkaktoi reagime në opinion. Osmani për këtë tha se është e pritshme që ai të mos ketë qëndrim të njëjtë ndaj dy vendeve, për shkak se Bullgaria është anëtare e BE, ndërsa Maqedonia është vend kandidat.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu