Zbulohen kontratat e majme të yjeve në Premier Ligë

Vitet e fundit në tregun e transferimeve në futboll janë shpenzuar shifra marramendëse për lojtarë të ndryshëm. Football Leaks ka zbuluar shpesh detaje që nuk janë publikuar nga klube të ndryshme, në momentin që kanë siguruar shërbimin e një futbollisti të caktuar. Këtë radhë janë zbuluar detajet e kontratave të lojtarëve si Morata, Sanchez, Van Dijk, Salah dhe Lukaku.

Në rastin e Sanchezit, Manchester United arriti ta bindë kilianin, duke i ofruar një kontratë me pagë prej 20 milionë funte neto në sezon, shifër të cilës i shtohen edhe 75 mijë funte të tjerë që i akordohen për çdo ndeshje që nis si titullar dhe 1 milionë funte të tjera thjesht për firmën e hedhur në kontratën me Djajtë e Kuq.

Por jo vetëm kaq, Sanchez do të marrë edhe 2 milionë Funte të tjerë nëse do të arrijë të shënojë 40 gola në një sezon, 1 milionë Funte do t’i marrë nëse Manchester United fiton Championsin e 500 mijë nëse fiton Europa League.

Pierre Emerick Aubameyang la Borusian për të shkuar te Arsenali ku firmosi 18 milionë Funte, Kësaj shifre i shtohen 15 milionë në formën e shpërblimit për besnikërinë që do ta marrë në 4 keste deri në fund të 2021 kur i skadon kontrata.

300mijë Funte do t;i përfitojë nëse shënon 25 gola e asistime 50 mijë do t’i përfitojë për çdo ndeshje të nisur si titullar në Premier League. Ndërkaq ai ka humbur 2.26 milionë të cilat do t’i merrte nëse Arsenali do kualifikohej në Champions.

Van Dijk dhe Salah janë blerjet e mëdha të Liverpoolit. Mbrojtësi holandez u transferua te The Reds për 80 milionë Euro. Si mbrojtës që është, ai do të përfitojë 375 mijë Funte nëse ndihmon skuadrën të mbajë të paprekur portën për 18 ndeshje, 500 mijë nëse kjo ndodh për 20 ndeshje dhe 750 mijë për 22 ndeshje. Sa i përket Salah, Liverpooli do të detyrohet t’i paguajë Romës 2.5 milionë funte, duke qenë se egjiptiani e ka kaluar kuotën e 35 golave të shënuar.

Edhe Chelsea përfshiu disa klauzola në kontratën e Moratës. Spanjolli përfiton pagë 10 milionë funte në vit, por kësaj shifre i shtohen 830 mijë euro të tjerë për zhvillimin e 50% të ndeshjeve si titullar dhe nëse ai do të arrijë që në një sezon të shënojë 25 gola do të përfitojë 880 mijë funte të tjerë.

Ndërsa Romelu Lukaku ka bërë të lumtur Evertonin që përfitoi nga Man.Utd 10 milionë funte për sezonin pozitiv të belgut, që ka shënuar 26 gola në këtë vit. Po kështu Evertoni përfiton edhe 5 milionë funte të tjerë nëse Lukaku do të rinovojë me Djajtë e Kuq edhe pas vitit 2022, ose nëse ai gjatë kësaj kohe do të kalojë në ndonjë skuadër tjetër. Vetë Lukaku do të përfitojë 4.5 milionë funte nëse arrin në kuotën e 50 golave e asistimeve, diçka që këtë sezon nuk e arriti dhe 2.4 milionë të tjerë për besnikërinë ndaj klubit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu