Pangallos: Rama ecën me kokën e Erdoganit, Xhufi: Ai të shpjegojë tri anijet me naftë kontrabandë në Durrës

Ish-kryediplomati grek, Teodoros Pangalos e cilësoi si të ndikuar nga Turqia kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama duke bërë edhe ironi edhe me aleancën e Shqipërisë me Italinë Fashiste në vitin 1939.

Në një intervistë për "Panorama", historiani Pëllumb Xhufi i cilëson haluçinacione pretendimet e Pangalos duke shpjeguar edhe detaje për sa i përket ligjit të luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Ish-ministri i Jashtëm grek i PASOK-ut, Theodhoros Pangallos, në një shkrim të tij në të përditshmen greke “To Vima” dhe të botuar në gazetën “Panorama”, i cilëson kërkesat e qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Rama për heqjen e Ligjit të Luftës dhe njohjen e pronave të shqiptarëve në Greqi si pretendime të nxitura nga Turqia, duke i njësuar këto kërkesa me një paketë turke negociatash. Si i vlerësoni këto përcaktime?

Për të kuptuar se si politika zyrtare greke ka shënuar, për fat të keq, një kurbë në rënie në marrëdhëniet me Shqipërinë këto 100 vjetët e fundit, mendoj se ia vlen të kujtojmë se politikani Teodor Pangallos është nipi i gjeneral Teodor Pangallos, që ka qenë kryeministër i Greqisë në vitin 1925-1926. Pangallosi i parë ishte një diktator, e në sjelljet e tij Pangallosi i ri duket se trashëguar diçka nga gjyshi, i cili të paktën në politikën e jashtme tregoi se dinte të orientohej shumë më mirë se nipi i tij sot.

Praktikisht, gjenerali Pangallos u mundua të normalizonte marrëdhëniet me Turqinë, marrëdhënie të tendosura maksimalisht nga lufta e përgjakshme e viteve 1921-1922 e provokuar nga Greqia dhe që përfundoi me katastrofën e ushtrive greke në Kostandinopojë e Izmir dhe me fundin e palavdishëm të “Megali Idesë”.

Pangallosi, e kam fjalën për plakun, gjeneralin, u përpoq të normalizojë gjithashtu marrëdhëniet me Italinë, të cilat gjithashtu vinin nga një krizë e rëndë pas vrasjes në territorin grek nga ana e aktivistëve të “Vorio-Epirit” të gjeneral Telinit, që u pasua nga pushtimi i ishullit të Korfuzit nga forcat e ushtrisë italiane të Musolinit.

Nga ana tjetër, gjë që ka dhe më shumë rëndësi për ne, Pangallosi u përpoq të normalizojë edhe marrëdhëniet me Shqipërinë, duke kryer disa hapa të guximshme, që ata që erdhën pas tij në pushtet nxituan t’i zhbëjnë. Kështu, gjenerali Pangallos e njohu pa kushte shtetin e ri shqiptar, i dha fund propagandës shoviniste ndaj tij, duke shpallur shpërndarjen u sillogjet vorio-epirote dhe hodhi hapa të guximshme për nënshkrimin e marrëveshjeve të para tregtare e konsullore me Shqipërinë.

Pangallosi plak ishte i bindur se rreziku kryesor Greqisë i vinte nga pansllavizmi, dhe në këtë koncept u mundua të ndërtojë një sistem të ri marrëdhëniesh me fqinjët. Çuditërisht, nipi i gjeneralit, Pangallosi i ri, identifikohet me një tjetër politikë, me politikën megalomane të “Megali Idesë”, nga e cila edhe vetë zbatuesi më i flakët i saj, Eleutherios Venizelos, pas dështimeve spektakolare të politikës së jashtme greke, u detyrua të distancohet gjatë mandatit të tij të fundit kryeministror, më 1928-1934.

Z.Pangallos sigurisht sot nuk ka pozita në ekzekutivin grek, por po them të paktën që nga viti 1996 kur u emërua ministër i Jashtëm i Greqisë dhe në vijim në postet e rëndësishme që ka pasur në qeverinë e PSAOK-ut, e ka vendosur veten në vazhdën asaj politike së jashtme greke që karakterizohet nga qëndrime antishqiptare, në vazhdën e politikës tradicionale greke që inkurajon raportet konfliktuale me Turqinë, madje ka shkuar akoma më tej, sepse ka qenë dhe arkitekt i një politike të jashtme të ashpër të shoqëruar edhe me një retorikë të vrazhdë nga ana e tij në raportet, qoftë me SHBA-të e qoftë me Bashkimin Europian e me vende të veçanta, siç është Gjermania.

Dua të kujtoj se dikur zoti Pangallos deklaroi se “Gjermania është një kolos me këmbë prej argjili”, duke huazuar një shprehje leniniste. Dikush tjetër deklaroi që politikanët turq janë vrasës e përdhunues. Në përpëlitjet e krizës ekonomike greke, pas vitit 2010, ishte z.Pangallos që më shumë se çdo politikan tjetër grek i kërkonte Gjermanisë reparacionet e luftës. Le ta themi hapur, në vrazhdësinë e arrogancën e z.Pangallos ka diçka që na çon në origjinën e tij e që ne shqiptarët i njohim si defekte kombëtare. Ai duket se i ka trashëguar këto cilësi të cilat, gjithsesi mund t’i falen një shqiptari, një greku apo një turku të rëndomtë, por nuk mund t’i falen një politikani në pension, që pretendon se ka ende diçka për të thënë. Por, për ta zhdramatizuar disi çështjen, le të themi se z.Pangallos ka qenë vlerësuar e vlerësohet edhe sot në Greqi si një figurë kontroverse, që më shumë ka mbjellë sesa ka zgjidhur probleme.

Përfshirja e Shqipërisë sipas nxitjeve turke, mos duket se e fokuson debatin në marrëdhëniet greko-turke dhe jo për të zgjidhur problemet e trashëguara?

Sigurisht që kështu është dhe këtu zoti Pangallos bën një gabim të madh që nuk i lejohet, duke e konsideruar Shqipërinë si një faktor subaltern, si një variabël i Turqisë në kufijtë veriorë të Greqisë.

Ky është një vlerësim i kahershëm i politikës greke në raportet e saj me Shqipërinë, vlerësim i bazuar mbi paragjykime të natyrës fetare. Sipas tij, si vend me shumicë myslimane, Shqipëria do të ishte fatalisht e destinuar të bënte lidhje të shkurtër me Turqinë, duke u bërë pika fundore e një të ashtuquajturi “bosht mysliman”, që rrezikuaka vetë ekzistencën e Greqisë.

Ky obsesion grek, nuk është vërtetuar ndonjëherë në këta 100 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar. Shumë më tepër se me Turqinë myslimane, Shqipëria ka njohur periudha “të arta” marrëdhëniesh me Italinë, Austro-Hungarinë, Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik, Kinën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vetë Greqinë. “Boshti islamik” Turqi-Shqipëri është një halucinacion, nga i cili Greqia me siguri do të çlirohet një ditë dhe shenjat janë që edhe në marrëdhëniet me Turqinë të ketë një zhvillim të ri.

Por, ndërkohë, marrëdhëniet grekoshqiptare po vuajnë pasojat e paragjykimeve e të një politike, nga ana e Greqisë, që rend pas fantazmave dhe që nuk pranon ta shohë në sy realitetin e gjerave. Në këtë frymë, Pangallos pretendon se “paketa” e problemeve që Shqipëria i ka paraqitur së fundi Greqisë, është “formuluar” nga Turqia për t’i krijuar probleme të reja Greqisë në një moment të vështirë për të.

Në fakt, në çështjen e marrëdhënieve delikate me Greqinë, Turqia ka treguar një maturi, në shprehje e në veprime, që është për t’u admiruar, nëse kihen parasysh “debordimet” që nga ana greke kanë bërë herë pas here politikanë si Micotaqis, Samaras, Karamanlis apo vetë Pangallos. Në dijeninë time, politika turke nuk është përzier ndonjëherë në problematikën shqiptaro-greke.

Në fund të fundit, kjo problematikë me çështje si ajo e Ligjit të Luftës apo Çështja çame është aq flagrante, aq ekzistenciale, saqë edhe më qorri i politikanëve shqiptarë nuk do të mund ta injoronte e do të priste të “kujtohej” nga të tjerë për ta ngritur. Problemi i Ligjit të Luftës është një problem real.

Ta justifikosh ekzistencën e tij sot, 70 vjet pas fundit të Luftës II Botërore, duke pretenduar se Shqipëria e okupuar nga Italia fashiste i shpalli luftë Greqisë dhe aq më keq, ta justifikosh ligjin në fjalë me parashikimin e një situate kur, sipas z. Pangallos, Shqipëria do të bashkohet me Turqinë kundër Greqisë, kjo do të thotë të vuash nga halucinacione senile.

Përse e thoni këtë?

E thashë më sipër, kur Italia fashiste sulmoi Greqinë, më 1940-n, Shqipëria ishte një vend i pushtuar nga Italia dhe kishte një qeveri kukull profashiste, ashtu siç pati një vit më vonë një qeveri kukull kuislinge vetë Greqia. Po të shkojmë me logjikën e zotit Pangallos, meqë Shqipëria e pushtuar nga italianët konsiderohet “bashkëfajtore” në agresionin kundër Greqisë më 1940, atëherë edhe Greqia duhet të konsiderohet “bashkëfajtore” në pushtimin gjerman të Shqipërisë më 1943- n, pasi ky pushtim erdhi nga territori grek! Ligji i luftës pra është një absurd, por është i tillë për ata që nuk janë në brendësi të ngjarjeve.

Por për politikanët, siç është vetë zoti Pangallos, Ligji i Luftës nuk është një absurd, por një arsye e mosarsyes për të ngrirë disa çështje që mbeten të hapura, siç është çështja çame, çështja e pronave të qytetarëve shqiptarë, çështja e njohjes de jure të kufirit të vendosur nga Fuqitë e Mëdha në Londër, më 1913, e në Paris, më 1921-shin. Pala greke, sot e kësaj dite nuk e njeh atë kufi dhe nuk pranon të nënshkruajë me Shqipërinë marrëveshjet përkatëse.

Mbajtja në sirtar e Ligjit të Luftës ka pikërisht këtë synim, që në rrethana dhe koniunktura “të favorshme”, siç ishin për shembull ato të vitit 1997, apo siç mund të jenë ato që mund të krijohen në botën e sotme të pasigurt, dikush në Greqi mund të mendojë se ka ardhur çasti i përshtatshëm për të realizuar ëndrrën e amëshuar të aneksimit të “Vorio Epirit”.

Prandaj, për t’i vendosur mbi një bazë të shëndoshë e për të rivendosur besimin në marrëdhëniet greko-shqiptare, Ligji i Luftës duhet të hiqet një orë e më parë, siç e ka thënë edhe një vartës i zotit Pangallos, ambasadori Aleksandros Malias.

Ky ka folur së fundi për një raport të ri mes grekëve dhe shqiptarëve (neë deal), i cili duhet të nisë me abrogimin e Ligjit të Luftës nga Parlamenti grek dhe me njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nga ana e Greqisë. Këto janë dy hapa revolucionarë nga një përfaqësues i shërbimit të jashtëm grek, i cili, sipas meje, është më realist e më i ditur se zoti Pangallos në çështjet e politikës së jashtme.

Ish-ministri i Jashtëm Pangallos pretendon se Traktati i Miqësisë i nënshkruar prej tij dhe ministrit shqiptar të Jashtëm të asaj kohe, Alfred Serreqit, në vitin 1996 dhe i ratifikuar në Parlamentin grek, automatikisht e ka rrëzuar Ligjin e Luftës. Sa qëndron kjo?

Këtë nuk e thotë diplomati Malias dhe shumë politikanë të tjerë grekë, sepse kushdo e di që ligje të tilla, të rëndësishme, që kanë të bëjnë me luftën dhe paqen dhe me marrëdhëniet me vendet e tjera, gjithmonë kalojnë përmes ratifikimit në Parlament. Justifikimi grek që Ligji i Luftës u shpall me një dekret mbretëror të asaj kohe, nuk qëndron, sepse rolin e Mbretit sot e ka Parlamenti.

Unë kujtoj se qeveria greke prej më se 15 vjetësh ka nënshkruar edhe Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për minoritetet. A e dini ju që kjo Konventë nuk ka kaluar në Parlamentin grek dhe Greqia kritikohet çdo vit në Këshillin e Europës si një nga vendet e pakta, bashkë me Turqinë, që nuk e ka miratuar këtë Konventë, sepse ajo nuk është ratifikuar nga Parlamenti, e pra nuk është bërë operative?

Për sa i përket Traktatit të Miqësisë të vitit 1996, mos harrojmë kuadrin historik kur ky u nënshkrua. Qeveria shqiptare e kohës ndodhej në kushte tepër të vështira pas manipulimit të zgjedhjeve të vitit 1996, gjë që e vuri në konflikt të hapur me SHBA-të dhe BEnë. Këtij zhvillimi negativ iu shtua edhe problemi tragjik i skemave piramidale. Në këto kushte, qeveria shqiptare kërkonte mbështetje e aleatë dhe aleati i parë që u ofrua ishte pikërisht Greqia, me të cilën u gjet koha “e përshtatshme” (në fakt e papërshtatshme) për të nënshkruar një traktat të atij niveli.

Në të injorohen çështje serioze që ekzistojnë mes dy vendeve, ndërkohë që çështje të tjera shtrohen në mënyrë krejt të vakët e aspak detyruese. Traktatet e Miqësisë janë dokumente shumë të rëndësishme, por në fund të fundit ato janë shprehje e vullnetit politik midis qeverive të dy vendeve, për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të zgjidhur problemet që ekzistojnë mes tyre.

Por Traktati i Miqësisë me Greqinë nuk ka vlerë detyruese e juridike, ai duhet të materializohet përmes marrëveshjeve për çdo çështje që shtrohen në Traktat. Unë ju them se për të gjitha çështjet që janë shtruar në Traktatin e Miqësisë së 1996, siç është problemi i njohjes dhe respektimit të sovranitetit, problemi i kultivimit të gjuhëve respektive në universitete apo shkolla, problemi i zhvillimit të marrëdhënieve kulturore, çështje që lidhem me sigurinë apo ekonominë, nuk është bërë asnjë marrëveshje që nga 1998-ta, kur pala greke e ratifikoi më në fund në Parlament me dy vjet vonesë këtë traktat, nuk është zgjidhur asnjë problem që parashtrohet në atë traktat.

Kjo vendosje që zoti Pangallos i bën Shqipërisë në krah të Italisë fashiste pushtuese e shumë vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke na përfshirë në krahun e vendeve humbëse të luftës, duket se na kthen në kohën e Metaxas, është e qëllimtë?

Absolutisht, kjo është një artificë dhe politika greke shquhet për artifica, jo vetëm në marrëdhëniet me Shqipërinë. Ka artifica të tilla pothuaj me të gjitha vendet fqinje të saj, por edhe me vende jofqinje. Paraqitja e Shqipërisë si një vend mysliman, në një kohë që Shqipëria është një vend rreptësisht laik, sepse kështu na e kanë lënë Rilindasit, të cilët e kishin kujdes dhe merak të madh që Shqipëria të ndërtohej si një republikë laike, ku feja të ishte e ndarë nga shteti, të gëzonte të gjitha të drejtat e ushtrimit të saj, por të ishte e ndarë nga shteti dhe nga shkolla.

Për Greqinë kjo nuk është fort e kuptueshme, për shkak të bazimit të kolonave të shtetit tek ortodoksia…

Absolutisht, Greqia ka pasur një problem të madh me BE-në dhe vendet e tjera demokratike, sepse paraqitet sot në shekullin e 21-të si një shtet ku, si në kohët e Perandorisë Bizantine, sundon cezaropapizmi, pra bashkimi i pushtetit laik me pushtetin fetar. Kjo në Europën moderne është e palejueshme.

Fakti është që para disa vjetësh, Greqia u detyrua të heqë nga dokumentet e identifikimit deklarimin e përkatësisë fetare, gjë që u prit me revolta dhe tensione të mëdha, që i printe kleri ortodoks. Në këtë aspekt, Shqipëria është një vend i pangatërrueshëm, nuk mund ta cilësosh si vend mysliman, që i ndërton marrëdhëniet sipas variablit fetar.

Këtë e bën, për fat të keq, edhe z. Pangallos, duke u rreshtuar në vazhdën e politikës më të keqe greke, që nuk e ka toleruar ekzistencën e një shteti shqiptar në kufijtë e tij, veç me kusht që ky të jetë një shtet i dobët, i varur e i korruptuar. E meqë doli fjala për korrupsionin, do të thosha se linjat e zhvillimit të korrupsionit qeveritar në Shqipëri ishin mjaft të fuqishme pikërisht në kohën kur zoti Pangallos ishte pushtetar me autoritet në Greqi (e në qarqet politike shqiptare).

Më vjen në mend një episod domethënës i vitit 1997, kur në Portin e Durrësit u kapën nga shërbimi doganor europian tri anije cisternë greke, të ngarkuara me karburant, që përpiqeshin ta kalonin mallin kontrabandë.

Çuditërisht, zoti Pangallos ka pasur një reagim të egër, të ashpër, kërcënues që ato tri anije të mos zhdoganoheshin dhe sipas shtypit të kohës, ushtroi presione të forta mbi politikanë të caktuar shqiptarë.

Unë nuk di të them nëse ato tri anije u lanë të kalonin pa u zhdoganuar apo jo, por di të them se ato ishin programuar të hynin kontrabandë në Shqipëri dhe për to kishte interes direkt vetë z. Pangallos e ndonjë mik i tij në Shqipëri.