​“Ronaldo nuk dëshironte të largohej, Juventusi nuk do të bëhet kurrë si Real Madridi”

Autori i një biografie për Cristiano Ronaldon dhe gazetari i famshëm spanjoll, Guillem Balague, pretendon se Ronaldo nuk kishte dashur të largohej nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që Juventusi nuk do të bëhet kurrë si klubi madrilen.

Balague, i cili jeton në Britani të Madhe, e kishte publikuar një libër për jetën e yllit portugez në vitin 2015, dhe tani një version më i ri i këtij libri është në shitje në Itali. Për publikimin e këtij versioni, ai bëri disa intervista, në të cilat e shprehu mendimin e tij për transferimin e Ronaldos në Juventus, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij, Ronaldo u detyrua të largohej nga Real Madridi pasi që ndiente se drejtuesit e klubit nuk e dëshironin më atë aty. Balague shprehet se nevojën për t’u ndierë i nevojshëm dhe i dashur nga të tjerët, Ronaldo e ka që nga fëmijëria.

“Cristiano nuk ndihej më i dëshiruar nga Reali. Ai nuk kërkonte vetëm para, ai kërkonte gjithçka. Jam i bindur se kur u takua me Florentino Perezin, ai priste t’i rritej paga dhe jo të lejohej të largohej nga klubi aq lehtësisht”, ka thënë Balague.

“Tani atij do t’i duhet t’i ulë pritshmëritë. Në fakt, ai veçse ka filluar të bëjë një gjë të tillë pasi që Juventusi nuk do të mund të bëhet si Real Madridi asnjëherë”.

“Kam kërkuar në rrënjët e fëmijërisë së tij, kam biseduar me shokët e tij në Maderia. Ai u rrit në një pjesë të varfër të qytetit. Ai u rrit pa dashurinë e një babai alkoolik dhe unë mendoj se Ronaldo është ende duke e kërkuar dashurinë të cilën nuk e ka marrë asnjëherë”.

“Ai dhe Messi janë të ngjashëm, fëmijëritë e tyre ishin të ngjashme, por argjentinasi është më i mençur dhe më mendjemprehtë. Cristiano është më i sinqertë, dhe kjo e bën më të lehtë t’i gjejmë defektet e tij. Ronaldo kërkon dashuri, por ai nuk di si ta pranojë atë. Ai kërkon që skuadra t’i shërbejë atij, ndërsa Messi i shërben skuadrës”.

“Ai i kishte Alex Fergusonin dhe agjentin e tij, Jorge Mendes, si figura prindërore, kështu që mendoj se Cristiano është edhe djali edhe babai i shumë personave. Të gjithë në atë shtëpi janë pothuajse pjesë e një klani dhe ai përkujdeset për shokët, motrat, nënën, të dashurën, fëmijët dhe vëllain e tij, i cili kishte probleme me drogë”.

Libri i publikuar nga Balague nuk është i autorizuar nga Cristiano Ronaldo. /Gazeta Express/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu