Vështirë t’i heqësh diçka Leo Mesit. Në fushë, asgjë. Jashtë thuhej për numrin 10 se nuk ishte një lider, të paktën publikisht. Por në dhomat e zhveshjes, pesha e tij ka qenë gjithnjë e rëndë dhe e respektuar. Me lamtumirën e Iniestës, ai u bë zyrtarisht kapiteni i Barçës dhe këtë vit ka mësuar shumë gjëra. Për oratori nuk është bërë ende Martin Luter King, por kur ka për të thënë diçka, ai është gjithnjë aty dhe mesazhi përcillet i fortë dhe i qartë.
Të mërkurën në mbrëmje, kapiteni mori një përgjegjësi të madhe: në minutën e 12-të arbitri i dhuroi një penallti Barçës për një faull të pretenduar ndaj argjentinasit. Leo e mori topin dhe ia dorëzoi Kutinjos, i ardhur mes shumë vështirësive psikologjike. Ishte një top i nxehtë: Barcelona duhet të përmbyste dhe ai gol ishte vendimtar. Braziliani shënoi dhe e falënderoi shokun e skuadrës në mënyrë të sinqertë. “Ai mori përsipër një penallti kundër Levantes dhe donte ta merrte përsëri. Folëm më parë rreth kësaj.
Ai e ekzekutoi atë dhe unë jam i lumtur, sepse prej asaj penalltie nisi përmbysja. Thuhej se ne e kishim flakur tutje kupën dhe nuk e donim”, tha kapiteni pas ndeshjes. “Mesazhi im u keqkuptua: ne do të luftojmë në të tria kompeticionet, është detyrimi ynë. Te Barcelona ne luftojmë për gjithçka”. Dhe ai e la edhe shenjën e tij në ndeshjen e 1001 të karrierës, duke shënuar golin e 50-të në Kupën e Mbretit dhe ndihmuar katalanasit që të përmbysnin Sevijen në “Camp Nou” me një 6-1, që preu biletën në gjysmëfinale. Mesi hyri në “mijëvjeçarin” e ri, sa iu takon numrit të ndeshjeve në nivel klubi. Për më tepër, Sevija mbetet preja e tij e preferuar (i ka shënuar 33 gola).
“Përpara se të shënoja kisha disa shanse të mira që i shpërdorova. Por shokët shënuan gola të tjerë dhe kur realizova unë, gjithçka ishte vendosur. Skuadra luajti shkëlqyeshëm dhe tani jemi në raundin tjetër”. Dhe kështu Barcelona mbetet në garë për tripletën e tretë të historisë, një rekord që Reali i Madridit nuk e ka arritur kurrë. Prej 9 vitesh, katalanasit nuk gabojnë kurrë që të mos mbërrijnë mes katër ekipeve më të mira të kupës, kompeticion në të cilin kanë kaluar 23 ture eliminatore radhazi (nuk eliminohet prej shkurtit 2013) dhe që e kanë bërë gjithnjë të tyrin në katër sezonet e fundit. E gjitha kjo do e ishte e pamundur në mungesë të frymëzimit të një djaloshi nga Rozario.










