Ahmeti: Ata s’e dinin që nënat tona i kanë rritur bijtë në djepa prej prushi

Me këngë dhe valle patriotike në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës u mbajt manifestimi tradicional: Zona e lirë në Karadakun e pamposhtur, të organizuar nga SHVL-Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Sadulla Duraku, ish komandat i UÇK-së tha se pikërisht më 2 maj të vitit 2001 nga Sllupçani u çua porosi se UÇK-ja është gjallë.

“Kur propagandonin mediat sllave se UÇK-ja është ndalë, është zhdukë, është humbur, ne pikërisht me 2 maj vendosëm në konsultim me shtabin e përgjithshëm të UÇK-së dhe shtabin e brigadës 113 Ismet Jashari po në këtë vend në orën 14:4 minuta të dalim me uniformë dhe t’i tregojmë armikut se jemi këtu gjallë”- deklaroi Sadulla Duraku – ish komandat i UÇK-së.

Në fjalimin e tij ish komandanti i përgjithshëm UÇK-së Ali Ahmeti tha se shqiptarët nëpër dekada kanë sakrifikuar, por asnjëherë nuk u përkulën.

“Kundërshtarët tanë përballë që kishim nuk e dinin që nënat shqiptare i kanë rritë bijtë dhe bijat e veta në djepa prej prushi, që nuk dinë të ndalen kur dikush ja shkel barin mbi varre. Ne shqiptarëve na përçmonin, na vrisnin, e masakronin, çdo periudhë të historisë që po kalonim. Nëpër dekada kanë sakrifikuar burra e gra por, asnjëherë nuk u përkulën. Siç e tha Sadullai, që ajo nënë e Sllupçanit na dridhi trupin, mornica shtati na shkoj kur tha që ne nuk ndahemi për luftëtarëve tanë dhe ne do të vritemi këtu. Prandaj këto amanete, këto histori që ka kaluar kombi ynë nuk janë të thjeshta, por të vërteta. Se po ta na prek dikush ato që kemi arritur me gjak e djers për flamur e gjuhë amtare ngjallen serish heronjtë ndër varre”.- tha Ali Ahmeti – ish komandat i përgjithshëm UÇK-së .

Ahmeti përmendi një nga një emrat e të gjithë dëshmorëve të kombit që ranë në luftën e 2001. Në këtë manifestim të pranishëm ishin edhe mysafirë të shumtë si Fazli Veliu, Hydajet Hyseni, kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi. Ndryshe konflikti i vitit 2001 u mbyll me marrëveshjen paqësore të Ohrit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu