Alternativa kërkon “Asociacion të Komunave Shqiptare”. Njëjtë si modeli që bashkësia ndërkombëtare e kërkon në Kosovë

Partia Alternativa po propozon që në Maqedoninë e Veriut të fillohet një nismë për “Asociacion të komunave me shumicë shqiptare”, njëjtë si ajo që po kërkohet të bëhet në Kosovë. Në një kumtesë dërguar mediave, e që në fund mban emrin e sekretarit gjeneral të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, shkruhet se në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, pyetja që duhet të shtrohet, sipas Alternativës, është se pse partitë shqiptare në Maqedoni që kanë komuna, si BDI, ASh dhe Besa, nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Asgjë më shumë. Vetëm aq. Ata që e kërkojnë këtë nga Kosova janë aleatët tanë perëndimorë, andaj kjo njësi i bie të jetë në frymën e vlerave perëndimore. Shumë mirë atëherë. Ta bëjmë edhe ne në Maqedoninë e Veriut një Asociacion në këtë frymë perëndimore! Ja një kauzë që mund t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare, madje edhe Alternativën që nuk ka komunë. Ta fillojmë që sot nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!” Reciprocitet i bukur dhe, njëherazi, europian, apo?! Mbase kështu arrijmë edhe te tema e reciprocitetit gjuhësor mes shqipes në Maqedoninë e Veriut dhe serbishtes në Kosovë.”– thonë nga Alternativa.

TV21 kërkoi qëndrim nga partitë të cilat Alternativa i përmend në kumtesë, por asnjëra nuk u përgjigj.

I vetmi që komentoi kur u pyet nga gazetarët në terren është kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, i cili rikujtoi se një pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë është Marrëveshja e Ohrit e cila garanton karakterin unitar të shtetit dhe pas së cilës qëndron faktori ndërkombëtar. Sipas kreut opozitar, nëse në ka parti politike që duan ta lëshojnë Marrëveshjen e Ohrit atëherë këtë duhet ta thonë hapur se nuk e pranojnë dhe se ata nesër nuk do ta respektonin atë marrëveshje.

“Unë i paralajmëroj politikanët në Maqedoni që të kenë kujdes dhe të mos i ndezin tensionet ndëretnike sepse Maqedonia është shtet multietnik dhe me këtë lloj sjelljeje të papërgjegjshme munden që vetëm t’i ndezin këto tensione dhe kështu do të sjellin shumë probleme për të gjithë qytetarët. Edhe një herë i paralajmëroj për sjellje me mençuri, shtetformuese dhe me përgjegjësi”– tha Hristijan Mickoski, Kryetar VMRO-DPMNE.

Për analistin politik Sefer Selimi, kjo ide e partisë së Afrim Gashit është absurde dhe e nxitur nga konfuzioni në të cilin ndodhet Alternativa pas daljes nga Qeveria. Sipas Selimit është e pakuptimtë dhe e pakrahasueshme ideja që në Maqedoni të ketë asociacion të komunave shqiptare duke u nisur nga kërkesa për asociacion të komunave serbe në Kosovë.

“E para, shqiptarët nuk janë minoritet në Maqedoninë e Veriut, janë popull shtetformues. Të krahasosh popullatën shqiptare në MV me minoritetin serb në Kosovë është jo vetëm jologjike por është mjaft e rrezikshme dhe në fund të fundit mund të shkaktojë vetëm dëm ndaj aspiratave të shqiptarëve këtu në MV të cilët kërkojnë, as më shumë e as më pak, vetëm të jenë të barabartë.”– tha Sefer Selimi, analist politik.

Një nismë e tillë, sipas Selimit, do ta ndryshonte narrativin në Maqedoni dhe do të ishte një mënyrë që etno-nacionalistët të krijojnë përshtypje të gabuar për shqiptarët në Maqedoni.

“Nëse Alternativa ka guximin dhe do të që promovojë këto ide që janë ekstreme le të propozojë ndarje të Maqedonisë, nëse ka guximin, le të propozojë federalizmin e Maqedonisë! Le të mos fshihet pas deklaratave boshe me të cilat rrezikon që të ndërtojë një narracion i cili është plotësisht i papërshtatshëm dhe jashtë realitetit në të cilin ndodhet MV.”– shtoi Seferi.

Selimi shprehet se Alternativa duhet të ketë përgjegjësinë e një partie serioze dhe këto tema t’i trajtojë me seriozitet dhe jo të ngutet me kërkesa të këtilla.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu