ANALIZË/ Garë e ngushtë për komunën e Çairit, kush çfarë kandidatë ofron

Komuna e Çairit me territorin e saj prej 3.5 km2 mund të duket në shikim të parë një komunë mjaftë e vogël, por për çdo kilometër të kësaj komune, ajo numeron 18.400 banorë. Me një popullsi prej mbi 64.000 banorëve në një hapësirë prej më pak se 4 kilometra, është komuna më e dendur në Evropë. Burimi i problemeve në këtë komunë të vogël por të madhe është vet dendësia. Për dallim nga komuna e Gazibabës, e cila gëzon një territor mjaftë të gjërë, ku ndodhen shumë bizneze e fabrika, të cilat detyrohen të paguajnë tatimin komunës, komuna e Çairit është mjaftë e vobekët në këtë aspekt sepse shumica e bizneseve aty janë të vogla ose të mesme.

Si rrjedhojë e kësaj, kjo komunë përballet me shumë probleme e pak buxhet për ti realizuar. Për të përballuar me këtë sfidë të zgjidhjes së halleve të këtyre qytetarëve, janë zotuar 4 parti shqipëtare, BDI, Lëvizja Besa, Aleanca për Shqipëtarët dhe PDSH, shkruan InfoShqip.

Bashkimi Demokratik për Integrim për të luftur për mbajtjen e kësaj komune ka zgjedhur për kandidat profesorin universitar, Visar Ganiun, një njeri të popullit të panjohur për skenën politike, por i njohur dhe i dashur në komunitetin shqiptar të Çairit, një njeri të popullit.

Lëvizja Besa nga ana tjetër, duket se ka reaguar në panik dhe përderisa tërë kohën përflitej se Kastriot Rexhepi ose Bekim Sali si kandidatë të mundshëm, në moment të fundit vendosën për njërin nga themeluesit dhe figurat kryesore të partisë, Zeqiria Ibrahimin, i cili la foltoren e kuvendit për të kandiduar për të parin e Çairit.

Aleanca për Shqipëtarët për kandidat te për Çairin kanë caktuar kryetarin e degës së Çairit, Faruk Avdiun, i cili punon në shkollën e mesme Arseni Jovkov, përderisa PDSH do të garojë me kirurgun e klinikës Nënë Tereza, Idriz Oranën, këshilltar i deritanishëm në këshillin e qytetit të Shkupit.

Partitë shqiptare duket se kanë përdorur arsenalin më të fortë për të luftuar për këtë komunë sa u përket kandidatëve për kryetar të komunës, por kjo luftë duhet të shikohet edhe në aspektin e kandidatëve për këshilltarë komunal, atje ku do të shqyrtohen e rishikohen vendimet e komunës.

Në këtë aspekt BDI, që sipas matjeve të ndryshme është favorite për të vazhduar të udhëhequr këtë komunë, i ka dhënë më shumë rëndësi përpilimit të listës së kandidatëve për këshilltar komunal. Në krye të listës për këshilltar komunal janë dy personalitete që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët dhe hallet e tyre, bëhet fjalë për mjekun Fikri Abdullain, dhe pasuesin e tij, mjeken Lule Hoxha. Ashtu si edhe me kandidatin për kryetar, kjo parti i ka kushtuar shumë rëndësi përzgjedhjes së personave që popullata e Çairit i njeh nga afër dhe në nivel personal. Në fakt një gjë të tillë e theksoi edhe vet Visar Ganiu në fjalimin e tij, gjatë prezantimit të programit të tij për komunën. Ai tha se motoja dhe ideja si në përzgjedhjen e kandidatëve ashtu edhe në filozofinë e politikës së partisë së tij për komunën e Çairit në këto zgjedhje është “Njerëzit e popullit për popullin.”

Lëvizja Besa në këtë aspekt nuk duket se ka kushtuar shumë kujdes meqë ka vendosur që të kandidojë me relativisht emra të rinjë dhe të panjohur, ndërsa për kryesues të listës kanë përzgjedhur kryetarin e forumit rinor të kësaj partie, Daim Luçin. Ai në opinion njihet për konferencat e shpeshta për shtyp ku kritikonte udhëheqësinë e BDI-së, por pa ndonjë përvojë personale politike.

Aleanca për Shqiptarët ka zgjedhur përsëri të kandidojë me Bujare Abazin e cila ishte edhe kandidate për deputete në kuadër të koalicionit Aleanca për Shqiptarët (LR-PDSH, RDK, Uniteti). E diplomuar në univerzitetin e Zagrebit është me meritë në krye të listës së kandidatëve për këshilltar komunal për Aleancën për Shqiptarët.

Partia Demokratike Shqiptare ashtu si edhe Lëvizja Besa dhe ASH, ka zgjedhur kandidatë për këshilltarë relativisht të panjohur për opinionin. Listës së kandidatëve të kësaj partie i prinë Qemal Neziri.

Në përgjithsi pritet të jetë një garë mjaftë e afërt mes partive shqiptare në këtë komunë, por në bazë të kandidatëve të ofruar, cilësisë së tyre dhe afërsisë së tyre me popullin, favorit duket të jetë partia që deri më tani ka udhëhequr me këtë komunë, Bashkimi Demokratik për Integrim, me kandidatin e tyre Visar Ganiun./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu