Asambleja e Mitrovicës Veriore e votoi, Ugljani: Lirimi i Urës së Ibrit tash i takon Sveçlës dhe Krasniqit

Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Mitrovicës Veriore, Nexhat Ugljani, ka sqaruar për votimin e ndodhur sot e që është ndërlidhur me lirimin e Urës së Ibrit për qarkullim për automjete.

Ai ka thënë se propozimi ka ardhur nga një asamblistë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe është votuar me shumicë votash.

“Ne sipas propozimit për ndryshim në rendin e ditës nga asamblistja, ka ardhë deri tek kërkesa që të shtohet në rendin e ditës edhe pika për lirimin e hapësirës tek ura e Ibrit. Shumica ka vetuar për. Lirimin për automjete. Ura për 20 vjet është duke u revitalizuar, por qarkullimi i automjeteve s’ka qenë në disponim. Ne kemi marrë këtë vendim, sepse kërkesat janë nga qytetarët. Ne si Kuvend e kemi shti si rend të ditës dhe e kemi marrë këtë vendim”, – tha ai.

Megjithatë ai ka thënë se Kuvendi Komunal nuk do të merret nëse ai vendim i është i zbatueshëm dhe se tashmë kjo çështje i takon Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Na vendimin e kemi pru, zbatimi a është i mundshëm, Kuvendi nuk do të merret. Është ministria përkatës. Ministria e Pushtetit Lokal dhe MPB”, – ka shtuar ai.

Ugljani ka thënë se kërkesa do t’iu parashtrohet edhe ndërkombëtarëve që kujdesen për sigurinë.

“Ne do t’i njoftojmë që kjo është dobi për qytetarët dhe s’është kërcënim për askënd”, – ka thënë ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu