Asambleja e Përgjithshme e OKB kaloi rezolutën që njeh gjenocidin e Serbisë në Srebrenicën e Bosnjës

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.

“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha në hapje të debatit ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vendi i së cilës e bashkëhartoi tekstin e rezolutës.

Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.

Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në korrik të vitit 1995.

Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007./REL/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu