Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në koordinim dhe bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë duke u zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit, aksionet po realizohen në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkeljen e fshehtësisë së procedurës”, “Marrjen e deklaratave me anë të shtrëngimit”, “Keqpërdorimin e informatës zyrtare”, “Mashtrimin”, “Legalizimin e përmbajtjes së rreme”, “Marrjen e ryshfetit” dhe “Dhënien e ryshfetit”.
Sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë, të dyshuarit në bashkëveprim dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre.
Po ashtu, pesë personat zyrtarë dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare duke tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme pasurore.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.










