BDI gënjeu, Universiteti “Nënë Tereza” nuk hapet në shtator (VIDEO)

Në Universitetin Nënë Tereza në Shkup, në vitin akademik 2016/2017 do të regjistrohen zero studentë. Universiteti që u paralajmërua me shumë bujë nga ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim jo vetëm që nuk do të pranojë studentë, por nuk ka as objekt, raporton SHENJA.

Ministria e arsimit ka hapur konkurset për pranimin e studentëve në universitetet shtetërore dhe regjistrimi tashmë ka nisur, megjithatë emri i Universitetit Nënë Tereza as që figuron aty.

Ish ministri i Arsimit Abdylaqim Ademi në mars të këtij viti tha se profesorët do t’i sjellë nga universitetet më të mira Evropiane, dhe se Nënë Teresa patjetër që do të jetë gati për në shtatorë.

“Nuk është bllokuar, por ne jemi në konsultime sipër edhe me mësimdhënës, profesorë nga Universitetet e vendit por edhe nga jashtë vendit. Jemi në pritshmëri të shprehjes së interesit nga mësimdhënës ose profesorë nga Universitetet më të mira në Evropë dhe shpejtë do të konstituohen edhe komisionet amë edhe për Universitetin “Nënë Teresa” edhe për dy fakultetet në kuadër të Universitetit të Tetovës….. (Do të bëheni gati deri për në shtator).. Po, patjetër!”, pati deklaruar më 23.03. 2016 ish ministri i Arsimit Abdylaqim Ademi.

Po ashtu edhe ministri i tanishëm Pishtar Lutfiu tha se në shtatorë, studentët shqiptarë pos USHT-së do të kenë një opsion tjetër për tí ndjekur studimet.

‘’Komisionet janë duke punuar intensivisht që fillimi i shtator- tetorit të na gjejë me vitin akademik të mbarë. Janë duke punuar duke bërë përgatitje për krijimin e organeve dhe besojmë që në një afat sa më të shpejtë të kalojnë këto organe edhe në qeveri, që më pas të kalojnë edhe kuotat sipas rendit”, ka deklaruar më 12.07.2016 ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu.

Ndërsa sot Ministria e Arsimit hesht. Televizioni Shenja iu drejtua me këtë pyetje të thjeshtë Ministrisë së Arsimit:

Pyetje:

Sa studentë do të pranojë këtë vit Universiteti ”Nënë Tereza” ?

Por, deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu