Gianni de Biasi, trajneri i Shqipërisë, po planifikon që në ndeshjen ndaj Maqedonisë të luajë me dy sulmues- Sokol Cikalleshin dhe Armando Sadikun
Gianni de Biasi mendon ta nisë edicionin me një skuadër ofensive, që mund ta gjejë golin shpejt dhe të mos e diskutojë fitoren. Në stërvitjen e vetme të zhvilluar dje në stadiumin “Selman Stërmasi”, trajneri ka zbuluar formacionin.
Burime të “Panorama Sport” pranë Kombëtares tregojnë se Gianni De Biasi, gjat stërvitjes së djeshme, ka provuar skemën 4- 4-2, me Sokol Cikalleshin dhe Armando Sadikun në sulm.
Ndryshimet më të mëdha kanë qenë në mesfushë, aty ku titullarët e ndeshjes miqësore me Marokun, si Taulant Xhaka, Migjen Basha e Amir Abrashi, janë ulur në stol.
Me të zakonshmin Etrit Berisha në portë, De Biasi nuk ka pasur asnjë dyshim sa i përket mbrojtjes. Në krahun e djathtë do të jetë Elseid Hysaj, ndërsa në qendër dyshja Mërgim Mavraj-Berat Gjimshiti, që luajti 90 minuta së bashku në testin e 31 gushtit. Në krahun e majtë rikthehet Ansi Agolli, i cili pritet të mbajë edhe shiritin e kapitenit.
Nga ana tjetër, me mesfushën që është në formë rombi, përpara mbrojtjes do të vendoset Burim Kukeli, ndërsa afër tij do të jetë Ergys Kaçe. Në krahun e majtë do të luajë Jahmir Hyka, i cili duket se ka fituar duelin me Ermir Lenjanin për një vend.
Forma e mirë e lojtarit që është pjesë e Luzernit në Zvicër ka ulur në stol Lenjanin. Në krahun e djathtë të mesfushës do të jetë i spostuar Ledian Memushaj
Në varësi të lojës, skema mund të shkojë edhe 4-2-3- 1, me Memushajn në rolin e një fantazisti dhe Sadikun të spostuar në krahun e djathtë, duke mbështetur Cikalleshin bashkë me Hykën. Gjithsesi, kur mbeten edhe dy ditë nga ndeshja me Maqedoninë, ende nuk mund të thuhet se ky do të jetë 100 për qind formacioni.
E sigurt është vetëm katërshja e mbrojtjes, që duket e stabilizuar tashmë, edhe pse mungojnë ish-kapiteni Lorik Cana i tërhequr dhe Arlind Ajeti prej dëmtimit. Seanca e djeshme ka zgjatur rreth 90 minuta dhe më shumë De Biasi është fokusuar te vendosja e ekipit në fushë.
Formacionet e mundshme