“Beteja” franko-gjermane: Holanda tërhiqet nga ndarja e Tiranës e Shkupit, vendimi në dorën e Merkel e Macron

Holanda është ndalur dhe nuk ka dhënë një opinion të qartë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ajo kërkonte që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të trajtohen të ndara dhe Tirana, të bëjë akoma më shumë punë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sidoqoftë, edhe pse në parim, qëndrimi i Holandës mbetet i njohur, parlamenti i vendit, të martën, la hapur një shteg për të votuar si Gjermania, për çeljen me kushte të negociatave me Shqipërinë, por vendimin final ajo duket se do ta marrë kur të shohë votën e Francës më 15 tetor, në mbledhjen e këshillit të ministrave të BE.

Për momentin, panorama është kjo: një Holandë me opinion negativ, por që në moment të fundit zgjedh të mos pozicionohet qartë dhe te tërhiqet nga JO-ja dhe ndarja mes dy vendeve; një Francë hezituese dhe një Gjermani që e ka thënë tashmë “po”-në e saj për Shqipërinë, pavarësisht se me kushte.

Përballë rezistencës së Francës, Holandës por edhe Danimarkës, shumë vende të tjera të BE-së duan hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe paralajmërojnë se është domosdoshmëri zmbrapsja e ndikimit rus, kinez dhe turk në rajon.

Nëse ministrat, nuk do të mund të bien dakord, më 15 tetor, atëherë debati do të zhvendoset në samitin e liderëve, më 17 dhe 18 tetor. Këtu, sipas ekspertëve, shumëçka do të jetë në dorën e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila do të mund të ndikonte tek presidenti francez, Emanuel Macron, dhe ta bënte atë të thoshte ‘po’-në e tij.

Pra beteja per negociatat zhvillohet mes Berlinit dhe Parisit.
Te dyja vendet si Gjermania dhe Franca janë që mos ndahet Shqipëria nga Maqedonia, por integrimi te behet në mënyra te ndryshme dhe këtu ndahen dy shtetet lider te BE.

Qëndrimi gjerman është tradicional qe nuk merr përsipër të ndajë përgjegjësinë, po dinamikat e brendshme i kthen ne më shumë fajësim për vendet. Nëse Franca thotë ‘Po’ edhe Holanda do të ndiqte shembullin e saj.

Ditët në vijim deri në samitin e lidërve të unionit do të jenë vendimtare, pse jo ndoshta mund të dalë edhe një formulë e re për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu