Bilall Kasami: Pas 11 dhjetorit, BDI-së do t’ia ndërtojmë një përmendore turpi

Koalicioni “Rilindje me Besë”, sonte ishte prezent në Tearcë të Tetovës, ku para banorëve të kësaj ane ata shpalosën platformën dhe programin zgjedhor. Lideri i Lëvizjes Besa, Dr. Bilall Kasami, i cili tha se Lëvizja BESA gjithmonë do t’i mbrojë shqiptarët nga padrejtësitë që shteti ua bën nëpërmjet, siç tha ai, BDI-së. Kasami tha më tej se më 11 dhjetor do të fillojë Ridefinimi i Maqedonisë edhe atë me largimin e përmendoreve të Gruevskit nga Shkupi. Me këtë rast, Kasami shtoi se koalicioni “Rilindje me BESË” do t;ia ndërtojë një përmendore turpi BDI-së.

“Në këto zgjedhje populli do të ketë mundësinë që o sot, o kurrë, t’ju thotë mjaft më politikanëve që defilojnë në skenën politike tash e 20 vite. Atyre funksionarëve dhe udhëheqësve të lartë të BDI-së për të cilët këto zgjedhje kanë kuptimin nëse do ta shpëtojnë vetveten apo jo nga ndëshkimi për krimet e bëra”. Ndër të tjerat kryetari Bilall Kasami shtoi: “Të dashur miq, ne e dimë se e nesërmja është e paparashikueshme. Por, megjithatë, ka diçka që ne mund t’ua themi që sot. Edhe atë jo si premtim por si betim, si besëdhënie, e ajo është se mbi këtë botë ka të këqija që vijnë nga shumë anë, ku bëjnë pjesë edhe ato që i çon Zoti dhe nga të cilat askush nuk mund të na mbrojë. Por ju premtoj se ka një të keqe nga e cila Lëvizja BESA do ju mbrojë deri sa të jetë gjallë besatari i fundit, e ajo është e keqja që vjen nga padrejtësitë që ua bën ky shtet i keq i cili deri tani shkeli mbi shqiptarët vetëm pse nuk kishin përfaqësues të denjë, vetëm pse nuk kishin kush t’ju del zot. Sot, o kurrë ka ardhur momenti që me ndihmën e Zotit, me përkrahjen tuaj dhe në emër të shqiptarisë ta ndalim këtë zullum. Më 11 dhjetor do të nis Ridefinimi i këtij shteti. Dhe ai do të fillojë me largimin e përmendoreve të Gruevskit nga Shkupi, e BDI-së do të ja ndërtojmë përmendoren e turpit”, deklaroi lideri i Lëvizjes BESA, Dr. Bilall Kasami.

Të pranishmëve ju drejtua edhe Binas Pajaziti nga RDK-ja, i cili tha se koalicioni ‘Rilindje me BESË’ është e vetmja forcë që do e fundos BDI-në në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Pas konventës madhështore që mbajtëm në sallën ‘Boris Trajkovski’ në Shkup më 22 nëntor, shumëkush po na pyet se si mund të jemi pjesë e koalicionit ‘Rilindje me Besë’, por unë ju them: Ne jemi i vetmi opsion i mundshëm që e rrezikon dhe do e fundos BDI-në më 11 dhjetor”, deklaroi Binas Pajaziti nga RDK. /SHENJA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu