Gazetari Berat Buzhala ka bërë një thirrje dramatike pas zhvillimeve të fundit lidhur me Dhomat e Specializuara në Hagë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional dhe qytetar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Buzhala ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht sonte për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara, përpara se vendimi të marrë formë të prerë në shkallët e tjera gjyqësore.
“Kuvendi i Kosovës duhet sonte me u mbledhë me i zhbë Dhomat e Specializuara. Kjo ishte shkalla e parë, kurse Gjykatën e ka marrë në dorë Serbia me aleatët e vet. Nëse pritet Apeli, atëherë nuk ka kthim prapa. Sonte duhet me e zhbë. Nesër është vonë”, ka shkruar Buzhala.
Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që protestat e tyre t’i orientojnë ndaj institucioneve vendore dhe jo objekteve ndërkombëtare, duke kërkuar prani masive përpara Kuvendit dhe Qeverisë.
“Qytetarët nuk duhet me u mbledhë para EULEX-it, as para ambasadave, por para Kuvendit dhe para Qeverisë. 100 mijë veta para Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar ai.
Më tej, gazetari ka sqaruar aspektin juridik të marrëveshjes me shtetin mikpritës të Gjykatës, duke u thirrur edhe në kërkesat e mëparshme të mbrojtjes ligjore.
“Holanda ka marrëveshje me Kosovën, në momentin që zhbëhet Gjykata, Holanda duhet me i lëshu, e ka obligim ligjor. Këtë e kërkoi më herët edhe avokati i Thaçit”, përfundon reagimi i Buzhalës.










