Camp Nou nuk u përgjigjet kërkesave të Messit e Valverdes

Barcelona kishte bërë thirrje drejt tifozëve të klubit që ta shfaqin mbështetjen e tyre të plotë për ndeshjen e mbrëmshme, në kuadër të Kupës së Mbretit, kundër Sevillës. Mirëpo, ata nuk e morëm përgjigjen që e kërkuan, pasi që vetëm 58,050 tifozë ishin të pranishëm në Camp Nou.

Kapiteni Lionel Messi dhe trajneri Ernesto Valverde kishin kërkuar nga tifozët e klubit katalonas që ta shfaqin mbështetjen e tyre të mërkurën, mirëpo kërkesa e tyre mbeti e paplotësuar, transmeton Gazeta Express.

Ndeshja e mesjavës, e cila filloi në orën 21:30 dhe ishte e transmetuar falas në televizion, nuk pritej të nxiste pjesëmarrje të madhe të tifozëve në stadium, mirëpo klubi mbeti i zhgënjyer pasi që besonte se pas kërkesave të Messit, tifozët do të vinin në masë më të madhe.

Për më tepër, biletat për ndeshjet e Kupës së Mbretit janë më të lira se biletat për ndeshjet e La Ligës. Mirëpo, as ky fakt nuk arriti t’i bindë tifozët e Barcelonës që ta mbushin stadiumin për ndeshjen e dytë çerekfinale, që u zhvillua mbrëmë.

Liderët e La Ligës e mposhtën Sevillën me rezultat 6-1 në Camp Nou dhe e fituan ndeshjen çerekfinale të Kupës së Mbretit me rezultat të përgjithshëm 6-3. Philippe Coutinho i shënoi dy gola, ndërsa nga një gol e shënuan Ivan Rakitici, Lionel Messi, Sergi Roberto dhe Luis Suarez.

Messi luajti në këtë ndeshje kthyese, ndërsa në ndeshjen e parë nuk kishte luajtur. Trajneri Ernesto Valverde ishte përballur me kritika se po e nënvlerësonte këtë kupë duke luajtur me lojtarë më të dobët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu