Çfarë qëndrimi ka Izraeli ndaj Donald Trumpit?

Eufori tek radikalët e djathtë të lëvizjes Alt-Right në SHBA: Përshëndetja “Hail Trump” u pasua në publik nga përshëndetja e Hitlerit. Shqetësim në Izrael, por edhe vetë përmbajtje lidhur me presidentin e ri.

Pas konferencës së lëvizjes Alt-Right në fundjavë ishte e qartë: tek radikalët e djathtë në SHBA atmosfera është euforike. Përshëndetja “Hail Trump” u pasua në publik nga përshëndetja e Hitlerit. Në fillim në Izrael kjo shkaktoi pak tronditje.

Por tani, politikanë opozitarë në Izrael reaguan. Ish-ministrja e Jashtme, Tzipi Livni nga partia Mes-i Majtë “Bashkimi sionist”shkroi se ishte “tepër e shqetësuar – politikanë në të gjithë botën duhet të thonë për këtë: për këtë tek ne nuk ka vend”. Shefi i partisë liberale “Jesch Atid”, Yair Lapid u bëri thirrje politikanëve amerikanë që t’i dënojnë “këto shprehje të simpatisë për nazistët”.

Gjendje e tensionuar në SHBA

Trump ndërkohë është distancuar nga lëvizja radikale e djathtë Alt-Right, lëvizje së cilës këshilltari i tij kryesor i ardhshëm, Steve Bannon i ka ofruar një platformë në faqen e tij në internet “Breitbart”. Por emërimi i Steve Bannonit është vetëm një shembull për atmosferën në SHBA. Një pllakatë anti-Clinton e tregonte atë me një simbol të ngjashëm me yllin e Davidit-.

Lëvizja me ndikim “Anti-Defamation League”, e cila angazhohet kundër diskriminimit të hebrenjve, paralajmëroi pak kohë më parë: “Komuniteti amerikano-hebre nuk e ka përjetuar që prej viteve ’30 këtë përmasë antisemitizmi në diskursin politik dhe publik”.

Netanjahu u tërheq vërejtjen anëtarëve të kabinetit
Tek politikanët në Izrael ekziston marrëveshja e pashprehur se rezultati i zgjedhjeve demokratike në SHBA duhet respektuar dhe që nuk mund të lëndohet partneri më i rëndësishëm strategjik i vendit. Netanjahu e përshëndeti zyrtarisht zgjedhjen e Donald Trumpit. Nacionalistët në qeverinë e tij shpresojnë të marrin tani dritë të gjelbër nga amerikanët për vazhdimin e ndërtimit të kolonive.

Madje Naftali Benett, ministër i Arsimit dhe kryetar i partisë “Habajit Hajudi” u takua me këshilltarë të Trumpit për të diskutuar alternativa për zgjidhjen me dy shtete. Netanjahu reagoi me një tërheqje të pazakontë të vërejtjes: asnjë anëtar i kabinetit nuk duhet të vendosë kontakt me këshilltarët e Trumpit, tha ai, përpara se të sqarohen linjat e politikës së jashtme amerikane.

Trumpi deri tani ka mbajtur anën e Izraelit. Prandaj ai e ka të sigurtë mbështetjen e kampit të djathtë politik në Izrael. Për këtë kamp më i rëndësishëm është qëndrimi i Trumpit në çështje të sigurisë, si për shembull ndaj Iranit, se sa shqetësimet e hebrenjve në SHBA. Me siguri për këtë arsye mbyllet një sy përballë antisemitizmit të djathtë në SHBA.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu