Ç’po ndodh? Franca akuzon Rusinë, zbulohen arsyet

Franca akuzoi Rusinë për manovra agresive ushtarake, sulme kibernetike dhe përpjekje hibride për të destabilizuar vendet evropiane, pas thirrjes së ambasadorit të saj në Moskë.

”Ministria e Jashtme ruse refuzoi të pranojë përgjegjësinë kur thirri ambasadorin francez Pierre Lévy, të hënën, dhe në vend të kësaj akuzoi vendet perëndimore se kërcënojnë Rusinë”, tha sot Ministria e Jashtme franceze.

Kritikat vijnë teksa Rusia vazhdon të zhvillojë një luftë shkatërrimtare në Ukrainë pasi filloi një pushtim të plotë të fqinjës së saj, më shumë se dy vjet më parë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Moska thirri ambasadorin francez pas deklaratave të fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili tha se nuk do të përjashtonte vendosjen e trupave franceze në Ukrainë.

Moska e quajti komentin shkatërrues dhe të papërgjegjshëm.

”Rusia nuk do të shkëputet nga qëllimet e saj në luftë pavarësisht kërcënimeve të tilla dhe gjithashtu do t’i arrijë ato”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

”Deklarata të tilla tregojnë qëllimin për të dërguar kontigjentë të armatosur në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërkohë, kritikat franceze për manovrat e Rusisë i referoheshin njoftimit të fundit nga Moska për manovrat e planifikuara që përfshijnë forcat e saj taktike bërthamore.

Të hënën, Rusia tha se do të kryente një manovër të forcave taktike bërthamore me urdhër të presidentit Vladimir Putin, duke pretenduar se stërvitja është një përgjigje ndaj “deklaratave provokuese dhe kërcënimeve nga zyrtarë perëndimorë individualë kundër Federatës Ruse”.

Perëndimi e pa këtë si një gjest kërcënues.

Për më tepër, Franca, Gjermania dhe vende të tjera evropiane akuzojnë Rusinë për kryerjen e sulmeve kibernetike dhe përpjekjeve të tjera për destabilizimin.

Qeveria gjermane kohët e fundit fajësoi Rusinë për një sulm hakerësh ndaj llogarive të emailit të Partisë Social-demokrate (SPD) në fillim të vitit 2023.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu