Drama elektorale në Turqi: Ogan me Erdoganin, partia që e mbështeti atë i jep përkrahje Kilicdaroglut

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të zhvillohet të dielën. Kemal Kilicdaroglu, sfiduesi i presidentit, Recep Tayyip Erdogan, fitoi mbështetjen e Partisë së Fitores (ZP), e cila përshkruhet si ultra-nacionaliste dhe e djathtë ekstreme.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kjo parti ishte pjesë e aleancës ATA, e cila kishte kandidatin e saj për postin e kreut të shtetit. Sinan Ogan përfundoi i treti dhe tashmë ka mbështetur presidentin aktual turk për balotazhin e së dielës.

Megjithatë, ZP u shkëput nga koalicioni i udhëhequr nga Ogan dhe, sipas shefit të saj Umit Ozdag, do të mbështesë liderin e opozitës. Vendimtar u tha se ishte premtimi i Kilicdaroglu për riatdhesimin e sirianëve që u larguan nga lufta civile e vendit të tyre.

Ngjashëm me ZP-në, do të veprojë edhe Partia e Drejtësisë, e cila gjithashtu u largua nga ATA. Udhëheqësi i saj, Vecdet Oz tha se Ogan u ngrit në mbrojtje të Erdoganit sepse iu premtua një vend në qeveri.

I thashë Oganit se ne jemi parti opozitare. A duhet të zgjedhim bazuar në atë se kush na e jep karrige?”, pyeti Oz duke shpjeguar pse ai mbështeti kundërshtarin e Erdoganit.

Në raundin e parë të zgjedhjeve të 14 majit, Erdogan fitoi me 49,52 për qind të votave dhe Kilicdaroglu përfundoi i dyti me 44,88 për qind. Ogan mori 5.2 përqind të votave dhe mbështetja e tij pritej t’i shtonte një numër të ngjashëm votash Erdoganit, duke i dhënë presidentit aktual një avantazh të rëndësishëm në mbrojtjen e mandatit të tij.

Megjithatë, “rebelimi” i partive të vogla nacionaliste e ndërlikon situatën për Erdoganin. Presidenti foli përsëri dhe deklaroi se Partia Republikane Popullore (CHP) e Kilicdaroglu ka mbështetjen e Partisë së jashtëligjshme terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu