Dyshime të mëdha për vdekjen e vëllezërve Astrit dhe Arbnor Dehari

Veprimtari i çështjes kombëtare dhe shkrimtari Avni Dehari nga Kumanova, brenda dy viteve humbi dy djemtë e tij, Arbnorin dhe Astritin.

Astrit Dehari, i cili dje ndërroi jetë në Burgun e Prizrenit, ishte vëllai i Arbënor Dehari, i cili me 11 qershor të vitit 2014, ndërroi jetë në mënyrë tragjike, shkruan Portali Albeu.com.

Mënyra e vdekjes së dy djemve të atdhetarit Avni Dehari janë të dyshimta.

Zyrtarisht, Arbënori bëri vetëvrasje duke rënë nga kati i gjashtë i banesës ku jetonte. Ai ishte aktivist i Vetëvendosjes që nga formimi i saj, si anëtar i Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje. Por familjarët dhe ata që kanë njohur Arbënorin asnjëherë nuk e kanë pranuar këtë version, pasi kanë deklaruar se Arbënori nuk ka patur asnjë arsye për të kryer atë akt.

Edhe vdekja e Astritot ditën e djeshme, vjen me shumë pikëpyetje. Edhe ai ndërroi jetë në mënyrë në tragjike, duke qenë i paraburgosur në burgun e Prizrenit. Sipas policisë, ai kishte konsumuar ilaçe dhe kishte rënë në komë. Astriti ishte i paraburgosur si aktivist i Vetëvendosjes, pasi ishte njëri nga gjashtë të akuzuarit për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti.

Por, në lidhje me këto dy vdekje të ndodhura brenda dy viteve janë ngritur shumë pikëpyetje, ndrësa edhe më të mëdha bëhen dyshimet kur njoftimi i policisë dhe deklaratat e Vetëvendosjes për mënyrën e vdekjes së Astritit janë të ndryshme.

Edhe Familja Dehari ka dyshimet e saj, duke bërë edhe një kërkesë për angazhimin e një eksperti të jashtëm për të marrë pjesë në autopsinë e djalit të tyre.

Për zbardhjen e vdekjes së Astritit aktualisht janë përfshirë Policia, Prokuroria dhe Mjekësia Ligjore e Kosovës ndërsa në rolin e mbikqyrësit do të marr pjesë edhe mjek ligjor nga Shqipëria, mëson Albeu.com.

Por pavarësisht kësaj, dyshimet nuk janë hequr as për vdekjen e Astritit e as të Arbënorit.

Kush është Avni Dehari, babai i Astrit dhe Arbënor Deharit?
Avni Dehari lindi më 3 maj 1947, në fshatin Sllupçan të Likovës, Kumanovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme, gjimnazin, e mbaroi në Preshevë, kurse u diplomua në Fakultetin e Filologjisë – gjuhë dhe letërsi shqipe, në vitin 1974, në Prishtinë.

Nga viti 1981 deri më 1999, Dehari ka jetuar në Zvicër. Dehari ka qenë anëtar i LPK-së bashkë me gruan e tij, Xhemilen.

Ai ka botuar disa vepra, përfshirë edhe veprat si ‘Dielli’ një poemë për fëmijë, ‘Arif Seferi – në shërbim të popullit” me bashkëautor Destan Hajdinin, si dhe përmbledhjen me poezi ‘Pas rrezes dë diellit’.

Avni Dehari me familjen e tij që nga viti 2001 jeton në Prishtinë.

Familja Dehari është kthyer për të jetuar në Kosovë nga Zvicra me 1999, e kryefamiljari Avni Dehari është veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, poet dhe ish-kryeredaktor në “Zëri i Kosovës”. /albeu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu