Edhe dy ditë afat për formimin e qeverisë , ja cilat janë parashikimet e analistëve

Mandati për formimin e qeverisë së re nga kreu i VMRO DOMNE-së, Nikolla Gruevski skadon të dielën, por ende nuk ka të dhëna zyrtare nëse ai ka arritur të formojë shumicën parlamentare me BDI-në e Ali Ahmetit dhe rrjedhimisht formimin e qeverisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se po zhvillojnë konsultime të brendshme para se të dalin me vendimin përfundimtar nëse do të koalicionojnë me VMRO-në apo me LSDM-në e Zoran Zaevit, edhe pse shanset më të mëdha i jepen Nikolla Gruevskit, me partinë e të cilët BDI-ja ishte në koalicion në dhjetë vitet e fundit.

Dy partitë kanë numrat e nevojshëm prej 61 deputetësh, aq edhe sa duhet për të votuar qeverinë edhe pse një numër i tillë nuk vlerësohet komod për bashkëqeverisjen e tyre. Se koalicioni mes dy partive është i mundur e thotë edhe Aleksandar Dashtevski, njohës i çështjeve politike, ish zyrtar i VMRO DPMNE-së.

“Mendoj se është i mundur afrimi i qëndrimeve dhe formimi i qeverisë së re. Disa punë për të cilat nuk mund të merren vesh do të lihen për më vonë në kuadër të grupeve të punës ndërsa për të tjerat vlerësoj se ka gjasa që të ketë zgjidhje.

Ka mundësi që BDI-ja të drejtojë Ministrinë e Financave që në këtë mënyrë të kontrollohen financat në pjesë e banuara me shqiptar, por ka mundësi që të ketë edhe ndryshime në ligjin për përdorimin e gjuhëve ku do të parashihen më shumë të drejta në përdorimin e gjuhës shqipe”, thotë Dashtevski duke përjashtuar mundësinë që të ketë lëshime nga VMRO-ja edhe për Prokurorinë Speciale.

Por, pikërisht zgjatja e mandatit të kësaj prokurorie, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, zhbllokimi i procesin eurointegrues, janë tri kërkesat e panegociueshme të BDI-së, që janë edhe pjesë e platformës së përbashkët të partive shqiptare.

Nga BDI-janë kanë thënë se nga këto kërkesa nuk heqin dorë ndërsa për të tjerat, pjesë e platformës shqiptare, thonë se do të diskutojnë në kuadër të mandatit qeveritar, ashtu edhe siç parashihet në deklaratë.

Albert Musliu, njohës i çështjeve politike, thotë se në rast të mos pranimit të këtyre pikave mund edhe të mos ketë marrëveshje. Por, Musliu vlerëson se çdo marrëveshje eventuale duhet të jetë transparente për shkak të obligimeve që ka BDI-ja edhe ndaj partive tjera që kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Së paku pikat të cilat u prezantuan si të panegociueshme, nga pala tjetër, pra nga VMRO DPMNE-ja dhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski dhe nga shumë përfaqësues të partisë së tij u tha se janë të papranueshme. Pra, nëse të dyja palët qëndrojnë në pozicionet e tyre, vlerësoj se nuk mund të ketë marrëveshje. Por, nëse arrijnë të bëjnë kompromis vlerësoj se këtë duhet t’ia prezantojnë palës së tyre. Nëse BDI-ja bën kompromis këtë duhet t’ia elaboroj edhe atyre që kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët, por edhe para votuesve të saj”, thotë Musliu.

Jo zyrtarisht partitë nuk e përjashtojnë edhe mundësinë që në rast të dështimit të Gruevskit, para se gjithash për shkak të mospranimit të kandidaturës së tij nga shqiptarët, mandati për formimin e qeverisë t’i kaloj një anëtari tjetër të VMRO-së, Nikolla Popovskit, Ministër i Punëve të Jashtme.

Por, në një situatë të tillë do të kishte reagime nga LSDM-ja opozitare e cila si parti e dytë fituese do të kërkonte që mandati ti jepet liderit të saj, Zoran Zaev.

Një përplasje e tillë e mundshme vjen për shkak të interpretimeve të ndryshme të kushtetutës e cila nuk e përcakton qartë ndarjen e mandatit partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu