Edhe katër ditë fushatë, partitë në terren

Edhe katër ditë do të zgjas fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut. Më 12 korrik në mesnatë i jepet fund fushatës së këtyre zgjedhjeve të para në kohë pandemie.

Partitë politike intensivisht po zhvillojnë tubimet, duke kërkuar votën e qytetarëve përmes ofertës së tyre politike se si e planifikojnë qeverisjen e vendit dhe menaxhimin e situatës me pandeminë, përcjell INA.

Koalicioni i LSDM “Mundemi” sot do të ketë tubime Shuto Orizarë dhe Demir Hisar. VMRO-DPMNE dhe koalicioni i tyre do të jenë në Çair, Aerodrom dhe Gazi Babë të Shkupit.

BDI do të mbajë tubim qendror në sheshin “Maqedonia” në Shkup, por edhe tubime me kandidatë nëpër vendbanime tjera.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të kenë tubim në Dobërdoll të Gostivarit, ndërsa karvani i kandidatëve për deputetë do të vijojë në Tetovë dhe disa vendbanime tjera.

Lëvizja BESA në kuadër të koalicionit “Mundemi” do të zhvillojë tubime në disa vendbanime ku garon me kandidatët e saj, përfshirë Tetovën, Shkupi, Kumanovën, Strugën, etj.

PDSH do të vijojë me takime dhe tubime në Tetovë, Kumanovë dhe vendbanime të tjera me kandidatët e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu