Erdogan, ftesë Greqisë për një “epokë të re”

Një epokë e re në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë mund të jetë e afërt pas zgjedhjeve në të dy vendet, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Ne mund t’i lëmë mënjanë armiqësitë dhe antagonizmat. Kjo është e tepërt për të dyja vendet”, tha Erdogan për Kathimerini.

“Shpresoj që zgjedhjet në Greqi dhe Turqi të jenë fillimi i një epoke të re”, shtoi Erdogan, i cili ka dy dekada në pushtet.

Erdogan tha se ishte i bindur se ai dhe partia e tij AKP do të fitojnë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Turqisë që do të zhvillohen të dielën.

Greqia do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 21 maj. Deri më tani, kryeministri Kyriakos Mitsotakis kryeson në të gjitha sondazhet.

Dy vendet anëtare të NATO-s kanë punuar shumë për të ulur tensionet që kur Turqia u trondit nga tërmetet shkatërruese në shkurt.

Këto përpjekje u nxitën nga ndihma greke për Turqinë.

“Që nga tërmetet, nuk ka pasur më fluturime të avionëve ushtarakë turq mbi ishujt grekë”, sipas Shtabit të Përgjithshëm grek.

Një vit më parë, avionët turq fluturuan mbi territorin grek 234 herë, që konsiderohet një shkelje e rëndë e të drejtave sovrane.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë acaruar për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale dhe depozitave të gazit natyror në Mesdheun lindor.

Erdogan dhe shumë nga ministrat e tij kanë vënë në pikëpyetje sovranitetin e Greqisë mbi dhjetëra ishuj të Egjeut, duke përfshirë Rodosin dhe Lesbosin.

Erdogan gjithashtu ka kërcënuar vazhdimisht se do të pushtonte ishujt grekë, duke marrë kritika nga BE-ja. /atsh/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu