Filloi seanca për konstituimin e Kuvendit, zhvillohet nën protokolle të posaçme shëndetësore

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka filluar seanca e parë e përbërjes së re parlamentare e cila mbahet në Sallën e kupolës së madhe konform protokolleve shëndetësore për mbrojtje nga përhapja e Kovid-19. Me seancën kryeson kryetari i Kuvendit në largim, Talat Xhaferi. Në fillim të seancës është intonuar himni.

Sipas pikave të rendit të ditës në seancë do të zhvillohet zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit verifikues të Kuvendit, ndërsa pason verifikimi i mandateve të deputetëve në Kuvend.

Pika e tretë dhe e katërt janë zgjedhja e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të RMV-së.

Funksioni kryetar i Kuvendit i takon partive të cilat do të sigurojnë shumicë për formimin e qeverisë, proces i cili formalisht fillon sot, kështu që nuk mundet me siguri të pritet se ai do të zgjidhet në mbledhjen konstituive.

Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i vendit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Presidenti Stevo Pendarovski veçmë paralajmëroi se planifikon të mbajë konsultime me partitë politike pas konstituimit të Parlamentit, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do ta ndajë mandatin për formim të qeverisë, partisë, përkatësisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në mbledhje, si mysafirë janë ftuar presidenti Pendarovski, kryeministri në largim, Oliver Spasovski, ish-presidentë të vendit dhe të Kuvendit, kryetarët e gjykatave kushtetuese, supreme dhe të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, prokurori publik dhe kryetari i Këshillit për prokurorë publikë, Avokati i popullit, anëtarë të Qeverisë dhe guvernatorja e Bankës popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Mbledhjen në cilësinë e mysafirëve do ta ndjekin edhe liderë të partive politike të përfaqësuara në Kuvend, shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, kryetarët e ASHAM dhe të KSHZ-së, Prokurori shtetëror, përfaqësues të bashkësive fetare, si dhe shefa të misioneve të huaja diplomatike dhe konsullore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

T mobile In article 1
Përndryshe, siç kumtuan nga shërbimi parlamentar për shtyp, në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, Mbledhja konstituive do të mbahet sipas protokolleve dhe kritereve të cilat janë caktuar në koordinimin paraprak me kryetarin e Komisionit për sëmundje ngjitëse, dr. Zharko Karaxhoski, me qëllim të vetëm që të ulet rreziku nga përhapja e mundshme e infektimit nga koronavirusi.

Deputetëve, mysafirëve dhe përfaqësuesve të mediumeve, gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit do t’u matet temperatura e trupit, pas çka do t’u mundësohet të hyjnë në ndërtesë. Në të gjitha hyrjet do të sigurohen mjete për dezinfektim.

Meqenëse bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme dhe është e domosdoshme mbajtja e distancës së obligueshme fizike mes deputetëve, mbledhja konstituive do të mbahet në Sallën e madhe të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht në sallën e njohur në opinion si Kupola e madhe. Deputetët do të jenë në distancë adekuate dhe do t’u sigurohet pajisje mbrojtëse.

Votimi i mbledhjes do të zhvillohet me dorë (me kartonë), ndërsa nga mbledhja do të ketë transmetim të drejtpërdrejtë në Kanalin kuvendor të Servisit nacional radiodifuziv RTM”, paralajmëron shërbimi kuvendor.

Transmetimin e mbledhjes konstituive mysafirët do ta ndjekin nga salla plenare “Maqedonia”, ku do të sigurohet distanca e domosdoshme fizike.

Në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse edhe për përfaqësuesit e mediumeve do të vlejnë protokollet e caktuara për ndjekje të mbledhjes konstituive, me qëllim që të ulet rreziku nga përhapja e koronavirusit. Që të evitohet grupimi më i madh, mbledhjen konstituive do të mund ta ndjekin më së shumti nga dy përfaqësues nga secili medium. Në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, kapaciteti i hapësirës lejon më së shumti 50 përfaqësues të mediumeve. Transmetim të mbledhjes do të mund ta ndjekin në Sallat 3 dhe 4 në Pres qendrën e Kuvendit. Mbledhjet e trupave punues, ndërkaq, mediumet do të mund t’i ndjekin përmes transmetimit të drejtpërdrejtë në ueb-faqen e Kuvendit në link.

Në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të punojnë Klubi i deputetëve, restoranti dhe bufeja që ndodhe në pres qendrën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu