Franca e pazëshme ndaj sulmeve nëpër xhami

Përderisa në Francë kohëve të fundit rritet numri i sulmeve ndaj xhamive, politikanët francezë heshtin ndaj këtyre sulmeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspertët të cilët për gazetarin e AA-së kanë shpalosur mendimet e tyre në lidhje me heshtjen e politikanëve ndaj vënies së zjarrit në një xhami në qytezën Chateau Thierry në veri të Francës javën e kaluar, thonë se mediat kanë “normalizuar” sulmet ndaj muslimanëve dhe xhamive, ndërsa politikanët kanë ngelur të pazëshëm ndaj sulmeve në fjalë.

“(Muslimanëve) u jepet mesazhi “Nuk na bëhet vonë për ju’”

Kevser Dilek, raportuesja e Organizatës për Observimin e Racizmit dhe Islamofobisë (ORIW), theksoi se politikanët në Francë janë të pazëshëm ndaj sulmeve kundër muslimanëve, duke rikujtuar më tej se vënia e flakës në xhami duhet dënuar me një gjuhë të prerë.

Duke theksuar se autoritetet franceze duhet të japin deklaratë ose t’i dënojnë sulmet e ndodhura, Dilek tha: “Në mesin e politikanëve tanimë ekziston perceptimi i gabuar se “këta i meritojnë këto që po ndodhin; është e qartë se këto do të ndodhnin”.

Megjithatë, nëse dihet se këto sulme do të ndodhin, atëherë në xhami, njëlloj sikurse në sinagoga, duhet marrë masa të sigurisë. Nuk ka pasur asnjë deklaratë apo dënim, qoftë edhe sipërfaqësor. Me këtë sjellje, jepet mesazhi “Nuk na bëhet vonë për ju’”.

Sipas Dilek, kjo sjellje e gabuar e politikanëve në Francë vjen si pasojë e zgjedhjeve presidenciale që po afrohen dhe për këtë arsye politikanët strategjikisht nuk pozicionohen në anën e muslimanëve.

Franca ngeli e heshtur

Ndërkaq, Marwan Muhammed, zëdhënës i Shoqatës Kundër Islamofobisë në Francë (CCIF), politikanët dhe organizatat e shoqërisë civile nuk reagojnë ndaj sulmeve në xhami për arsye se ato nuk mendohen si pjesë e “racizmit”.

Përderisa politikanët e djathtë dhe të djathtës ekstreme ngelin të pazëshëm ndaj sulmeve kundrejt muslimanëve dhe xhamive, siç tha Muhammed, çdo aktivitet ndaj të krishterëve në Lindjen e Mesme shoqërohet me reagim “shumë të ashpër”.

“Ndaj vënies së zjarrit në xhami, në nivel kombëtar në Francë nuk kishte asnjë reagim as nga komunat e as nga shoqatat”, vazhdoi më tej Muhammed.

Verbëria politike në Francë

Ndërkohë, Marouane Zaki, përgjegjës i Organizatës SOS Racisme, tha se sulmet ndaj xhamive dhe faltoreve të muslimanëve duhet cilësuar qartazi si racizëm dhe se në lidhje me këtë në Francë po ndodh një “verbëri” politike.

Duke treguar se në Francë është krijuar një atmosferë e tendosur pas sulmeve të fundit terroriste në shtetet e Evropës, Zaki u shpreh se së bashku me sulmet në Francë, Islami po cilësohet në kuadër të urrejtjes.

Kanë reaguar vetëm dy politikanë

Vënia e zjarrit ndaj xhamisë javën e kaluar zuri shumë pak vend në shtypin francez, ndërkohë që incidentin e dënuan vetëm dy politikanë. Emmanuel Macron, i cili ka paraqitur kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale, në llogarinë e tij në Twitter incidentin e cilësoi si “të papranueshëm” dhe njoftoi se është në anën e të dëmtuarve nga rasti.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm francez Buro Le Roux përmes një komunikate të publikuar dënoi sulmin me një gjuhë të lehtë, duke theksuar se shteti u jep garanci qytetarëve për sigurinë e faltoreve.

Sulme ndaj 60 xhamive brenda dy viteve

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Shoqatës Kundër Islamofobisë në Francë, që nga janari i vitit 2015 e deri më tani, në Francë gjithsej 60 xhami kanë qenë shënjestër e sulmeve, me një mesatare nga tre xhami në muaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu