Gjermania po synon ta bëjë më të lehtë procesin për të aplikuar për shtetësi

Ministria e Brendshme e Gjermanisë publikoi projektligjin që synon ta bëjë më të lehtë për njerëzit të aplikojnë për shtetësi, ku Berlin synon të nxisë migrimin dhe të hapë tregun e punës në ekonominë më të madhe të Evropës.

Drafti propozon një opsion të shtetësisë së shumëfishtë dhe shkurton periudhën e qëndrimit para se të jenë të gatshëm për të aplikuar për shtetësi në pesë ose tre vjet, nga sa ishin tetë vjet më herët, transmeton Telegrafi.

Kërkesat e gjuhës gjermane për shtetësinë do të lehtësoheshin gjithashtu për anëtarët e të ashtuquajturit brezi “Gastarbeiter”, shumë prej tyre turq, të cilët erdhën në Gjermani në vitet 1950 dhe 60 si punëtorë migrantë.

“Ne duam që njerëzit që janë bërë pjesë e shoqërisë sonë të jenë në gjendje të ndihmojnë në formimin e vendit tonë në mënyrë demokratike”, tha në një deklaratë Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, duke shtuar se shembujt nga vende si Kanadaja tregojnë se kjo perspektivë ishte vendimtare për të tërhequr punëtorët e kualifikuar që i duhen Gjermanisë.

Qeveria gjermane ra dakord vitin e kaluar për planet për të reformuar ligjin e saj të imigracionit, pasi Berlini kërkon të hapë tregun e punës për punëtorët shumë të nevojshëm nga jashtë Bashkimit Evropian për të plotësuar qindra mijëra vende të lira pune në sektorë nga gastronomia dhe kujdesi për fëmijët te IT dhe energjitë e rinovueshme.

Në fund të vitit 2021, rreth 72.4 milionë njerëz me shtetësi gjermane dhe rreth 10.7 milionë me shtetësi të huaj jetonin në Gjermani, nga të cilët rreth 5.7 milionë kishin qenë në Gjermani për të paktën 10 vjet. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu