Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Gjini ka deklaruar se Kushtetuesja ka konstatuar se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar.
Sipas tij, kjo situatë nuk ka ardhur si befasi, pasi Aleanca, siç ka thënë Gjini, e kishte paralajmëruar vazhdimisht se procesi po zvarritej.
Ai ka thënë se tashmë Kosova po shkon në zgjedhje dhe përgjegjësinë politike për këtë situatë ia ka atribuar Albin Kurtit.
“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka shkruar kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.
Ky është postimi i plotë i tij:
“Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar.
Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë. Edhe këtë Aleanca e ka spikatur panumër herë.
Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti.
Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste.
Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme.
Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët.”










