Gratë në politikë, LSDM synon modelin me 50%

Partitë politike në pushtet synojnë angazhim të mëtejshëm në drejtim të rritjes së përfaqësimit të grave në skenën politike. Në kohën kur po diskutohet për reforma të mundshme në modelin zgjedhor, LSDM-ja deklaron se një prej angazhimeve të saj do të jetë edhe ndryshimi i ligjeve me qëllim të sigurimit të përfaqësimit 50-50 në listat e kandidatëve për deputetë. Partia e Zoran Zaevit në kryesinë ekzekutive ka 9 gra nga gjithsej 17 anëtarë.

Ne si parti politike absolutisht angazhohemi për të drejta të barabarta për gjinitë në të gjitha fushat. E kemi udhëhequr procesin e rritjes së përqindjes së përfaqësimit të gjinisë femërore edhe më herët. Deri tani kemi arritur të kemi përfaqësim prej 40% në Kuvend dhe në Këshillat lokal por në program na shkruan dhe do të vazhdojmë të angazhohemi duke shpresuar që do të marrim mbështetjen e të gjithëve për përfaqësim 50-50 në listat e kandidatëve”-tha Damjan Mançevski, LSDM.

Kryetarja e forumit të gruas në Bashkimin Demokratik për Integrim, Mukadeze Hajdari, deklaron se stereotipet tashmë janë pjesë e kulturës shoqërore megjithatë thotë se partia e saj punon për rritjen e përfaqësimit gjinor. Sipas saj, në procedurën që vijon për zgjedhjet e brendshme në partinë e saj do të merret parasysh edhe kriteri për përfaqësim prej 40% të grave në të gjitha strukturat e BDI-së. Kjo parti aktualisht ka vetëm tre gra në kryesinë e partisë dhe vetëm dy deputete në Kuvend.

Stereotipet dhe pabarazia gjinore janë të ngulitura në kulturën tonë shoqërore dhe edhe përskaj lëvizjeve dhe përpjekjeve të cilat janë bërë kohët e fundit me sjelljen e rregullativave dhe ligjeve pozitive të cilat rregullojnë barazinë gjinore në vendin tonë numrat mbesin shumë të ulët dhe ne si gra, pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë tonë, normalisht nuk jemi të kënaqura me statistikat por vazhdojnë përpjekjet dhe lufta jonë për të marrë pozitën e merituar ashtu siç na takon sipas ligjit për mundësi të barabarta midis burrave dhe grave dhe atë që na garanton Kushtetuta”-pohoi Mukadeze Hajdari, kryetare e forumit të gruas në BDI.

VMRO-DPMNE-ja nga ana tjetër thotë se nuk ka vërejtje për përfaqësimin e grave në politikën në vend duke vlerësuar se plotësohet kriteri ligjor.

Përqindja e përfaqësimit nga viti në vit, gjegjësisht nga zgjedhjet në zgjedhje rritet që të vihet deri te barazia. Vlerësoj se këto angazhime kanë filluar që kur VMRO-DPMNE-ja ishte në pushtet dhe e vendosi atë sistem të cilin e ndjek dhe nuk kemi marrë vërejtje. Përkundrazi kemi vërejtje vetëm për përmirësimin e përfaqësimit të barabartë”-theksoi Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Siç ka njoftuar më herët Alsat, Kuvendi plotëson normën ligjore të përfaqësimit prej 40% të grave deputete ku nga gjithsej 120 deputetë, 48 janë gra. Megjithatë, asnjë nga partitë ose koalicionet që përfaqësohen në Kuvend nuk drejtohet nga një grua. Në ekzekutiv, vetëm 5 nga gjithsej 27 funksione të kabinetit qeveritar u takojnë grave. Maqedonia nuk ka pasur asnjëherë një presidente grua. Vendi nuk ka pasur as kryetare të Kuvendit por as kryeministre, përveç, në kohën kur, për pozitën e fundit, dy herë nga dy javë në vitin 2004, Radmilla Shekerinska ka qenë ushtruese detyre.Alsat-M/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu