Grubi: As Mickoski e as Shën Micko s’mund ta ndalin projektin e Korridoreve 8 dhe 10D

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi në fjalimin e tij në ceremoninë zyrtare të vendosjes së gurëthemelit të Korridorit 10D potencoi se askush nuk mund të ndalë realizimin e projekteve më të mëdha infrastrukturore në historinë e vendit dhe rrugën
e eurointegrimit.

Duke përgëzuar të gjithë të pranishmit për momentin e fillimit të realizimit të projektit të Korridorit 10D, Grubi theksoi se të gjitha veprimet e Qeverisë demonstrojnë se i ka ardhur fundi pengmarrjes dhe bllokadës së Kuvendit, të projekteve, të së ardhmes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe bllokadës së rrugës së eurointegrimit të vendit.

Fjalimi i plotë i Zëvendës kryetarit të parë të Qeverisë, Artan Grubi:

Kjo prezencë sot dhe fakti se shumica absolute e deputetëve, të gjithë ministrat qëndrojnë pas projektit është garanca më e madhe për të gjithë qytetarët, edhe të Prilepit, edhe të Manastirit, edhe të Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe Ohrit, se as Mickoski dhe as Shën Micko nuk mund ta ndalin këtë projekt. Ky projekt vazhdon, ndërsa Qeveria e ardhshme që gjithsesi se do të jetë e njejta që është sot, do ta përfundojë këtë projekt, do t’i presë shiritat dhe të gjithë qytetarët do të vozisin përgjatë këtyre autostradave.

Porosia e dytë sot që dua ta dërgoj është se ajo që e shihni sot në Kuvend dhe atë që para një jave e bëri Qeveria në seancë qeveritare është porosi se i ka ardhur fundi pengmarrjes së Kuvendit, të projekteve, të së ardhmes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo shumicë parlamentare, ky koalicion qeverisës, nga e premtja e kaluar deri më sot demonstron se çka do të thotë t’i jepet fund bllokadës absolute dhe pengmarrjes së të ardhmes së qytetarëve. Ajo nuk do të tolerohet dhe po demonstrohet se i ka ardhur fundi.

Porosia e tretë për sot, ashtu siç demonstruam se i ka ardhur fundi pengmarrjes dhe bllokadës, ashtu prej sot gjatë ndërtimit të projekteve të këtilla infrastrukturore më të mëdha në historinë e vendit tonë, përcjell porosi se ka ardhur koha nga sot t’i japim fund edhe bllokadës së integrimit tonë europian. Ky veçse është projekt i filluar bashkë me Kryeministrin Kovaçevski, me partnerët e koalicionit dhe nuk mund t’i dalë askush përballë ashtu siç nuk mund t’i dalë përballë as këtij projekti të ndërtimit të rrugëve. Kështu që përgatituni, hipni të gjithë në këtë tren, i cili po vozit drejt Brukselit dhe të cilin nuk ka kush që ta ndalë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu