‘Haradinaj po e rrezikon postin e tij si kryeministër me demarkacionin’

Marrëveshja e demarkacionit nuk pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës, në ditën kur kjo marrëveshje vendoset të jetë si pikë e rendit të ditës.

Kjo për shkak se kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit është vet kryeministri dhe gjysma e partive të koalicionit qeverisës. Kështu thotë për arbresh.info, analisti politik, Bajrush Morina.

Sipas tij, kryeministri Haradinaj me vendimin e marrë që këtë marrëveshje ta dërgoj për votim në Kuvend, po rrezikon edhe postin e tij si kryeministër por edhe të ardhmen e vendit.

“Është non sens i llojit të paparë deri më tash në ndonjë vend a qeveri që vetë i pari i Qeverisë I cili sponsorison një Ligj apo një Marrëveshje, ta sjell në Kuvend e të thotë mos e votoni. Kjo është hipokrizi e llojit të veçantë.

Kryeministri Haradinaj po tregohet hipokrit. Ai madje po rrezikon jo vetëm postin e tij kryeministror por edhe të ardhmen e vendit. Së fundi u dëshmua se Demarkacioni është kauzë e rrejshme politike në vendin tonë”, ka thënë ai.
I pyetur se cila do të ishte zgjidhja e çështjes së demarkacionit nëse kjo e fundit merr shumicën e votave nga përfaqësuesit e popullit, Morina ka thënë se nuk sheh zgjidhje të shpejtë të kësaj çështje.

“Unë nuk shoh zgjidhje të shpejtë të kësaj çështje. Ne jemi “të mallkuar” nga kjo klasë politike prandaj “ku ku për neve” çka na ka gjet më ketë qeveri e me këtë kryeministër!”, ka thënë ai.

Por, ndryshe nga Morina mendon analisti tjetër Leon Duhanaj. Sipas tij raporti i Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit Kosovë-Mali i Zi ka pasur mungesë të argumenteve dhe për shkak të kësaj marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës

“Për mendimin tim, duke parë mungesën e argumenteve ndryshe, mendoj që marrëveshja duhet ratifikuar sa më parë. Kjo edhe më shumë për hir të interesave strategjike të Kosovës. Në këtë rajon zhvillohet luftë ndërkombëtare mes lindjes dhe perëndimit. Kosova është përcaktuar për rrugën drejtë perëndimit. Zvarritja e kësaj marrëveshje, bie në kundërshtim të plotë me përcaktimin orientues të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, kryeministri Haradinaj tashmë do të duhej ta kishte të qartë situatën sa i përket demarkacionit dhe nuk do të duhej të bie nën ndikimin e emocioneve. Por, pavarësisht kësaj thotë se mendon se kjo marrëveshje do të votohet.
“Kryeministri Haradinaj, tashmë do duhej ta kishte të çartë situatën dhe të mos bie nën ndikimin e emocioneve, por tri shtyjë proceset përpara. Meqë edhe partneri kryesorë i koalicionit, PDK tashmë është deklaruar pro mbështetjes së marrëveshjet, po besoj që edhe Haradinaj, bashkë me partinë e tij por edhe deputet të tjerët nga pozita dhe opozita, do të jenë në nivel të detyrës dhe ta shtyjnë këtë çështje përpara”, ka pohuar ai për arbresh.info.

Për çështjen e demarkacionit ka folur edhe ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruari O’Conell duke thënë se për këtë çështje duhet të merren parasysh faktet e jo dëshirat.

“Çështja e demarkacionit është çështje bilaterale në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Grupi i Shengenit brenda Bashkimit Evropian ka dhënë si kusht për liberalizimin e vizave. Do të thotë që nëse Kosova dëshiron të shfrytëzoj liberalizimin e vizave duhet të përmbush kriteret që i ka paraqitur BE-ja. Por unë kam thënë disa herë që për këtë çështje ashtu sikurse edhe çështjet tjera duhet të merren parasysh faktet e jo dëshirat”, ka thënë ai.

Marrëveshja për shënjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në vitin 2015 nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, i Kosovës Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu