Historia e rrallë e pilotit grek i cili ishte agjent i CIA-s. Misioni i tij përfundoi kur e pushkatuan

Piloti grek 23-vjeçar Nikos Akrivojanis, i cili u ul me avionin e tij afër qytetit të Sarandës duke pretenduar se urrente regjimin shtetëror në Greqi. Por, në të vërtetë piloti grek kishte tjetër mision.

Nga: Arben Llalla

Ishte koha, ku në kufirin greko-shqiptar, në zonën e Çamërisë funksiononin disa zyra dhe baza sekrete të CIA-s për të përgatitur shqiptarët e arratisur për rrëzimin e rregjimit të Enver Hoxhës.

Kampet ku stërviteshin të arratisurit shqiptar mbështeteshin në mënyrë sekrete edhe nga shërbimi inteligjent i Greqisë. Gjatë viteve 1949-1956, në Shqipëri ishin strehuar rreth 35 mijë grekë të ushtrisë komuniste, të cilët erdhën pas luftës qytetare greke 1945-1949. Grekët e ushtrisë komuniste shiheshin si një rrezik i madh për rrëzimin e qeverisë së Greqisë, që mbështetej fort ato vite nga Anglia dhe SHBA.

Ishte prilli i vitit 1952, kur aeroplani i ushtrisë greke që e drejtonte piloti Nikos Akrivojanis u ul në territorin e Shqipërisë. Piloti grek pretendonte se ishte një i arratisur nga Greqia, ndërsa gjykata shqiptare e dënoi me burgim për spiunazh.

Për disa vite, Nikos Akrivojanis quhej tradhëtar, por me kalimin e viteve ai u rehabilitua, pasi u vërtetua se kishte qenë me mision të zbulim dhe kundër-zbulimit grek në bashkëpunim me CIA-n.

Nikos Akrivojanis vinte nga një familje greke nga Selaniku dhe babai i tij kishte qenë ushtarak i lartë i regjimit të Elefteros Venizellos. Akrivojanis për dy vite u stërvit në kampet sekrete të CIA-s nga 1950-1952, atje mori edukimin komunist, mënyrën politike marksiste-leniniste.

Emri i koduar si agjent i CIA-s, Nikos Akrivojanis ishte “Lokris”. Pas gjykimit Nikos u dërgua në kampet, ku ishin edhe të burgosur të tjerë grekë, të cilët ishin zënë rob gjatë provokimit te gushtit 1949.

Sipas historianit grek Stavros Dajos, gjatë marrjes në pyetje dhe gjyqit, nuk doli informata rreth misionit sekret të pilotit Nikos Akrivojanis. Ai u dërgua fillimisht në një kamp në Lushnje ku gjendeshin edhe shumë grekë të tjerë.

Në kamp Nikos Akrivojanis krijoi një organizatë sekrete të robëve, me synim për t’u arratisur, por u spiunua nga një tjetër bashkëatdhetar pranë autoriteteve shqiptare, kështu që u kap gjatë tentativës në 13 dhjetor 1953. Më tej, u dënua me vdekje nga Gjykata e Beratit në korrik dhe u pushkatua më 14 gusht 1954. Kështu përfundoi piloti grek Nikos Akrivojanis, i cili u ngarkua me mision sekret nga sigurimi i Greqisë dhe CIA, por që në Greqi u gjykua zyrtarisht për tradhëti kombëtare, ndërsa në Shqipëri u dënua për spiunazh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu