Hysa mbron titullin WBC, shkodrani mund bjellorusin Chvarkou në “Feti Borova”

Nuk lejoi asnjë të papritur. Nelson Hysa, kampioni në fuqi i Federatës së Vendeve Baltike dhe Sllave, e mbrojti titullin. Boksieri më i mirë shqiptar i momentit, ishte figura kryesore e mbrëmjes së këtij sporti në Parkun Olimpik “Feti Borova” në kryeqytet, duke justifikuar statusin e favoritit ndaj bjellorusit Viktar Chvarkou.

Në ring ishin përballë dy veteranë, me shkodranin në moshën 39-vjeçare dhe bjellorusin 38 vjeç.

Pavarësisht mbrojtjes së rivalit, dhe faktit se pësoi një çarje në sy, sërish Hysa e dominoi ndeshjen duke e arritur fitoren para kohe.

Ai realizoi disa kombinime në sulm, shpesh u tregua i kujdesshëm, ndërsa ishte agresiv.

Qendra e ringut ishte e shqiptarit.

Në përfundim të raundit të katërt, Chvarkou u tërhoq pasi u këshillua me stafin, për shkak të një dëmtimi të rëndë në dorë.

Kjo ishte fitorja e 12-të e Nelson Hysës në boksin profesionist.

Përballja ishte e vlefshme për peshat e rënda të Federatës kryesore të këtij sporti, WBC, dhe shqiptari e mbrojti titullin e Vendeve Sllave e Baltike.

Synimi i tij është hyrja në 20 vendet e para të renditjes botërore, ndërsa përpara këtij luftimi ishte i 69-ti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu