Deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, në një postim të tij porosit aktivistët e Lëvizjes BESA që të kenë kujdes me gjuhën e komunikimit. Ai gjithashtu uron që Zijadin Sela të shërohet sa më shpejtë, dhe t’i kthehet kthehet familjes dhe shokëve të tij.
Ja edhe postimi i tij i plotë:
“Të dashur besatarë, po lexoj gjithnjë në postimet tuaja brengën që keni për shpifjet që na bëhen nga kundërshtarët tanë. Është e qartë se ato janë në frymën e thirrjeve albanofobe “mrtov shqiptar – dobar shqiptar” (shqiptari i vdekur – shqiptar i mirë), që del sheshazi se ata, por edhe plot të tjerë “neutralë”, më shumë e paskan dashur vdekjen tonë sesa shpëtimin tonë, por – megjithatë – ju kisha lutur të keni kujdes me gjuhën e komunikimit tuaj.
Mua ma merr mendja se ju nuk jeni mësuar të shpifni, andaj edhe nuk mund ta duroni shpifjen, por – sipas shembullit të profetit Jusuf, që e duroi burgun vetëm që ta pastrojë shpifjen – ne duhet të mësohemi se ata e nuk kanë problem të shpifin që të fitojnë, ndërsa ne nuk mund ta bëjmë të njëjtën gjë vetëm që të fitojmë. Fundja, ne e kemi për detyrë që – së pari – të jemi të pastër para Zotit e pastaj edhe para popullit që na ka mbështetur dhe na mbështet. Ju e patë edhe vet nëpër video se mes nesh (mua dhe Afrimit) dhe vdekjes kanë qenë disa sekonda dhe pas çdo dite që po kalon, e vërteta po del në shesh.
Sidoqoftë, unë ju lus të gjithëve një nga një, ju drejtohem me AMAN-in më të madh që mos ta prishni fjalorin tuaj, mos ta prishni zemrën tuaj, ju lutem mos ofendoni dhe mos i përdorni mjetet e betejës së atyre. Mua më vjen jashtëzakonisht keq, veçanërisht pasi e vizitova, për atë që i ka ndodhur z. Zijadin Sela. Inshaallah ai më shpejt shërohet dhe i kthehet familjes dhe shokëve të tij!
Pavarësisht mënyrës se si kanë shpëtuar, mua më vjen mirë që edhe deputetët e BDI-së dhe deputetët e tjerë të Aleancës kanë shpëtuar si më mirë. Nuk guxoj(më) dhe nuk mund të kënaqem(i) asnjëherë në fatkeqësinë e tjetrit, pavarësisht se ai tjetri mund edhe të më (na) shpif si mos më keq.
Të nderuar, ne dallohemi prej shpifësve. Andaj, të gjithë ata që besojnë në thirrjen time se “BESA është amanet!”, dua t’i lus deri në qiell që ta respektojnë këtë thirrje dhe mos të shajnë, ofendojnë e lëndojnë askënd. Të gjithë ata që nuk e respektojnë këtë, nuk janë me BESË.
Një gjë mos e harroni: nëse jemi të sinqertë, duhet edhe të besojmë thellë se, nëse jemi të pastër para Zotit dhe të sinqertë me popullin, nuk ka forcë që na njollos.
Dhe, diçka tjetër: “Ra ky mort (por, edhe ky himn) dhe u pamë!”