“Interi do të luajë pa frikë në finale”, “parashikuesi” Lukak kërcënon City-n: Jemi gati

“Në fillim të sezonit vetëm Romelu Lukaku besonte te finalja e Champions League dhe unë mendoja se po bënte shaka, por ai parashikoi të ardhmen”, tregoi presidenti i Interit, Stiven Zhang, fill pas kualifikimit të Interit në finale.

Belgu, që ishte heroi i zikaltërve në titullin e fituar dy sezone më parë, është rikthyer të jetë vendimtar në këtë fundsezoni, në aventurën e tij të dytë në Milano.

Sulmuesi nuk ka kaluar një periudhë të lehtë në rikthimin e tij si zikaltër, kjo edhe falë dy dëmtimeve të njëpasnjëshme dhe për “CBS” 29-vjeçari ka treguar jo vetëm përjetimet e tij për sezonin dhe finalen, por edhe pikën e kthesës së Interit.

FINALJA – “Ishte një sezon shumë i vështirë për ne, por në fund të gjithë dhamë gjithçka dhe në muajin e fundit vendosëm gjërat në rregull në kampionat dhe arritëm që të shkojmë në finalet e kompeticioneve të tjera, duke ia dalë të ishim prezentë edhe në finalen e Champions-it. Është një arritje shumë e rëndësishme për ne, jemi gati ta luajmë pa frikë, pavarësisht se e dimë cilësinë e rivalëve”.

PLANI PERSONAL – “Tani skuadra është pothuajse e kompletuar dhe trajneri mund të përdorë rrotacionet, edhe sepse kushdo që luan jep gjithçka. Në planin personal, mund të them se tani jam duke bërë shumë mirë dhe kam gjetur formën e duhur, por kam vuajtur shumë.

Kanë qenë muaj shumë të vështirë ato të dëmtimit, edhe për faktin që nuk e kemi kuptuar menjëherë seriozitetin e tij dhe në fillim e nënvlerësuam. Shkova në Katar, por nuk isha në formë të mirë dhe më vonë u desh të ndaloja përsëri. Punova shumë fort për t’u rikthyer në formë dhe tani duam ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon dhe shpresoj me trofetë që synojmë”.

KTHESA – “Trajneri ka shumë merita për atë që kemi arritur. Dy vjet më parë ne fituam titullin duke u bazuar kryesisht në kundërsulmet, ndërsa një vit më parë Interi bëri pak kundërsulm dhe pak posedim të topit. Këtë sezon e nisëm duke u bazuar në presingun lart, por pësuam shumë gola dhe e kemi parë që na kanë kushtuar disa pikë. Ishte kjo arsyeja pse Inzagi bëri një hap pas dhe tani mbajmë bariqendrën më të ulët për të sulmuar më pas. Mendoj se kjo ka qenë pika jonë e kthesës dhe këtë e kanë provuar rezultatet tona në fushë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu