Ultrasët europianë nuk duan të ndihen inferiorë ndaj atyre argjentinas dhe këtë e kanë treguar mbrëmjen e sotme në kryeqytetin grek, Athinë, ku po përgatitej të luhet ndeshja mes AEK-ut vendas dhe Ajaxit të Amsterdamit.
Tifo-grupe nga të dy kampet kishin lënë takim në rrugën Alexandria, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe menjëherë atje mbërritën rreth 60 tifozë holandezë dhe disa të tjerë të Panathinaikosit, për t’u përballur me rreth 180 tifozë të verdhezinjve të AEK-ut.
Flakadanë, tymuese, grushte e sende të tjera të forta u përdorën në përleshjen, që nëse nuk do ishte për ndërhyrjen në kohë të policisë greke, mund të kishte degjeneruar në një bilanc tragjik.
Pas këtij episodi të frikshëm, policia shpërndau tifozët vendas, të cilët hodhën shishe plastike dhe objekte të tjera drejt tifozëve të Ajax. Sipas mediave greke, asnjë protagonist nuk përfundoi në prangat e policisë.
Autoritetet arritën të qetësonin situatën në kohë, duke bërë që ndeshja të vijonte normalisht. Edhe në pjesën e dytë u dëgjuan shpërthime fishekzjarresh, shumë pranë tribunave ku ndodheshin miqtë. Ndarja me tela mes tyre e fushës dhe barrierat prej xhami i pengonin ata që të iknin.
Sa i përket përballjes, Ajax siguroi një biletë për në raundin e 1/16-ave, pasi triumfoi 2-0 ndaj AEK dhe u ngjit e dyta në grup me 10 pikë.
Video:










