Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka dalë në mbrojtje të zëvendësit të tij në Komunën e Tetovës, Albi Qamili, duke hedhur poshtë mundësinë që ai të ketë ofenduar apo kërcënuar gazetarë.
Në një deklaratë për rastin e raportuar, Kasami tha se, duke e njohur karakterin dhe të kaluarën e Qamilit, nuk beson se një kërcënim i tillë mund të ketë ndodhur, të paktën në raport me gazetarët.
“Duke njohur shumë mirë Albin, nuk besoj se mund të ketë pasur ndonjë kërcënim të tillë, së paku ndaj gazetarëve”, deklaroi Kasami.
Ai ngriti gjithashtu dyshime mbi mënyrën se si është paraqitur ngjarja, duke thënë se gazetari në fjalë mund të ketë kërkuar më shumë vëmendje dhe shikueshmëri përmes asaj që Kasami e cilësoi si “dramatizim të situates”.
Kasami tha se qëndron fuqishëm pas Qamilit, duke iu referuar njohjes së tij personale me karakterin e zëvendësit të tij.
“Unë qëndroj fuqishëm pas Albit, duke njohur karakterin e tij, duke njohur background-in e tij. Do të kisha thënë, më parë unë mund të dal nga kontrolla, të shaj dikë, sesa Albi”, u shpreh Kasami.
Në fund, kryetari i Tetovës e bëri të qartë qëndrimin e tij: “Nuk besoj se ka ndodhur.”










