Prokurorja e dorëhequr speciale, Katica Janeva sot ka qenë në Prokurorinë e përgjithshme për të dhënë deklaratë për rastin “Reket”, ku i dyshuar është shoumeni Boki 13 dhe biznesmeni Zoran Mileski.
Ajo theksoi sot se shpreson që deklarata e saj do të ndihmojë në përshpejtimin e hetimeve për këtë rast, informon INA.
“Unë akoma jam prokurore speciale. Kolegët e mi kanë kompetenca të plota për të përfaqësuar lëndët në gjyq. Shpresoj se do të kemi më shumë finalizime këtë vjeshtë. Sa i përket deklaratës sime shpresoj se me argumentet e mija do të përshpejtojë rastin”, theksoi Janeva.
Deri tani për këtë rast në prokurori janë thirrur prokurorët special, Lile Stefanova, Elizabeta Josifoska dhe Burim Rrustemi. Rasti “Reket” ka të bëjë me shoumenin Boki13 dhe biznesmenin Mileski, të cilët biznesmenit Orce Kamçev, i kanë marrë 1.5 milionë euro për të ndërprerë hetimet që po zhvilloheshin ndaj tij nga ana e Prokurorisë Speciale dhe ishte ngritur lënda e parë e njohur si “Perandoria”, ku Kamçev ishte i dyshuari i parë për pastrim parash dhe vepra tjera.










