“Kisha vetëm një top dhe një ëndërr”, futbollisti i Kombëtares jep leksione për jetën: Ja si e mposhta dhimbjen

Prindërit të japin jetë dhe janë jetë edhe për fëmijët. Jo vetëm për sa kohë janë gjallë, por edhe kur ata ndahen nga kjo jetë. Një shembull të tillë jetësor e jep një futbollist shqiptar.

Nuk bëhet fjalë për një burrë të moçëm, por një djalosh që jeta i ka sjellë fatkeqësi dhe dhimbje të madhe në familje. Tanimë, edhe pse vetëm 25-vjeçar, është në gjendje që të shpërndajë një mesazh për të rinjtë, për futbollistët dhe gjithkënd: Duajini e respektojini prindërit!

DHIMBJA – Naser Aliji sot është pjesë bazë e formacionit të Dinamos së Bukureshtit me çfarë ka treguar, duke u bërë pikë referimi në 11-shen e Rediç. Mirëpo, para se të transferohej në Rumani, shqiptari përjetoi një dramë, teksa u përball me sëmundjen e rëndë të të atit, i cili fatkeqësisht, disa muaj më vonë, e humbi betejën me kancerin dhe ndërroi jetë në vitin 2018. “Gjëja më e vështirë që kam përjetuar ndonjëherë është që të adaptohem në jetë pa tim atë. E kam humbur në shtatorin e shkuar dhe ende nuk jam mësuar me këtë ide.

Ka qenë goditja më e vështirë që kam marrë nga jeta deri më tani. E kam thënë gjithmonë me zë, por edhe brenda vetes sime që më duhet ta rifilloj jetën. Më duhet të adaptohem me momentin, ta pranoj realitetin, sado i vështirë që të jetë. Mirëpo, kush mund ta detyrojë mendjen dhe shpirtin që të pranojë humbjen e babait?

Më thoni kush, pasi unë nuk do të jem i aftë kurrë që ta pranoj këtë gjë. Unë e di edhe që jeta ime vazhdon, por kurrë nuk do ta harroj tim atë. Do ta kem gjithmonë pjesë të mendimeve të mia dhe në zemër”, rrëfen mes dhimbjesh 25- vjeçari për “Gazeta Sporturilor”.

NGUSHËLLIMI – Mbrojtësi kuqezi tregon edhe një lloj ngushëllimi që ai ndien për humbjen e babait. “Ishte diçka e rëndë që të luftonte me kancerin, por ngushëllohem me faktin që në atë kohë lashë gjithçka dhe i qëndrova pranë. Isha me të në momentet e fundit në këtë jetë. Si të thuash, kjo ma zbut disi dhimbjen”, vijon Aliji në mediat rumune.

KËSHILLAT – Atë që dikur merrte nga i ati, Aliji e bën për të rinjtë. “Babi ishte ai që më këshillonte gjithmonë. ‘Zgjidh si të duash, por kjo është e mirë dhe kjo nuk është e mirë. Ti vendos’, më thoshte ai gjithmonë. Unë e kam respektuar gjithmonë atë dhe kjo është ajo që bëj thirrje. Të respektoni prindërit dhe më të rriturit në çdo rast.

Kam pasur vetëm një top dhe një ëndërr, që të luaja futboll. Nuk kisha para. Por sot shoh në TV që me përdorimin e rrjeteve sociale shumë ëndrra kanë humbur dhe shumë veprime elementare ndaj më të rriturve gjithashtu. Dëgjojini prindërit sa i keni në jetë dhe mësoni prej tyre sa më shumë të keni mundësi”, përfundon Naser Aliji.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu