Komisioneri Hahn optimist: Shqipëria dhe Maqedonia ende kanë shanse, ja kur duhet të shqetësoheni

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johanes Hahn, përpos vendimit të Francës se nuk do të ketë negociata, deklaroi dje se Shqipëria dhe Maqedonia kanë ende shanse për hapjen e negociatave. Sipas Hahn, qëndrimi skeptik i Francës, është tregues i progresit të dy vendeve dhe se negociatat si proces ndikohen nga problemet e brendshme të vendeve anëtare.

Komisioneri Europian për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, beson ende në arritjen e një kompromisi të shteteve anëtare për dy vendet, ndërsa, për qëndrimin e Francës, për shtyrjen e negociatave të anëtarësimit në 2020 me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Hahn deklaroi se ky është një proces në vete. “Ajo që po më thoni për mua do të thotë që është një progres në vetvete. Është ende e enjte dhe ne gjendemi në fazën e fillimit të negociatave midis shteteve për këtë çështje. Kjo është shenjë e mirë sepse tregon që po kuptohet rëndësia e vendimit. Vendimet e shteteve anëtare janë shpesh të influencuara dhe frymëzuara nga çështjet e brendshme të këtyre vendeve”, tha Komisioneri i Bashkimit Europian.

Më tej ai shtoi se kjo vlen edhe për Shqipërinë. “Kjo vlen edhe për vlerësimin lidhur me Shqipërinë, ndaj ne duhet të shpjegojmë, të bindim, ta shohim nga një prizëm më të gjerë. Nëse jepet drita jeshile vetëm për një nga dy vendet, kjo do të jetë një problem, sepse do ketë pasoja negative për stabilitetin në rajon, lidhur me interesat e ndryshme etnike apo tensioneve midis tyre”, përfundoi Hahn. Komisioneri i Bashkimit Europian, la edhe një mesazh për Kosovën.

Ai tha se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, nuk mund të zhvillohet pa BE-së. “Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës nuk mund të zhvillohet pa ne, pasi ka një impakt mbi të gjithë perspektivën europiane. Me fillimin e mandatit të ekipit të ri të Komisionit Europian, Josep Borrel deklaroi se kësaj çështjeje do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë. Ne duhet të presim tani formimin e qeverisë së Kosovës”, tha Hahn. Komisioneri Hahn, do të marrë pjesë në takimin me ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian, në 15 tetor në Luksemburg, ku pritet të merret vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu