​Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, atëherë mirupafshim

Pikënisja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka theksuar se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog. E nëse procesi i dialogut e ka si çmim shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, sipas tij është më mirë të thuhet “mirupafshim nga ky proces”.

Pas takimit me homologun e tij austriak, Konjufca, tha se draft-statuti i Asociacionit, i hartuar nga ish-ekipi menaxhues krijon një republikë serbe në Kosovë.

Në konferencën e përbashkët për medie, kryeparlamentari Konjufca akuzoi Serbinë se po tenton të destabilizojë veriun e Kosovës, përmes strukturave paralele kriminale atje.

Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, atëherë mirupafshim

“Kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Unë këtë mendim e kam. S’ka logjik që me u nis prej një pozicioni që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mbërri tek Kushtetuta e Kosovës. Ashtu nuk mundesh me mbërri kurrë te Kushtetuta e Kosovës. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës. Bile, bile mendoj se nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar, Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, Kosova nuk ka çka të kërkojë në dialog më. Kurrfarë interesi nuk e ka Kosova në atë dialog. Çka kemi ne në interes ne shkatërru kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon vetëm në dëm të interesave tona nëse është ashtu. Kosova është në dialog sepse beson në dy principe shumë. Principin e parë që dialogu është për njohje të ndërsjellët dhe tjetra se çfarëdo rregullimi dhe vetëmenaxhimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Pasi nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimin e shtetit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë me thënë mirupafshim. S’ka interes këtu”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, tha se Kosova dhe Serbia duhet të kenë interpretim të njëjtë për marrëveshjen bazë të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj në Ohër.

Ai tha se përkundër deklaratave dhe votimit kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, marrëveshja e fasilituar nga Bashkimi Evropian nuk po zbehet, por duhet të ketë durim pasi nevojitet më shumë kohë për zbatimin e plotë të saj.

Sobotka: Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk po zbehet, por duhet të ketë durim

Me sa di unë marrëveshja e Ohrit thotë se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Unë mendoj se posaçërisht, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vendimtar për Kosovën, pasi aty janë të përfaqësuara më shumë shtete që janë në BE. Në situata të ndërlikuara dhe të ndjeshme, Këshilli i Evropës merr vendime dhe qenësore që kanë ndikim afatgjatë. Nuk mendoj se marrëveshja po zbehet, por në politikën ndërkombëtare duhet të kemi pak më shumë kohë. Ajo nuk bëhet çdo herë në hapësirat publike. Duhet të ketë dialog me besim të dyanshëm”, tha ai.

Megjithatë, Sobotka përmendi si zgjidhje për Asociacionin edhe Tirolin Jugor, i cili sipas tij ka treguar se mund të arrihet një zgjidhje kompromisi.

Sobotka: Tiroli i jugut mund të jetë një shembull për Kosovën

“Austria mund të jetë një shembull për Kosovën, nëse mendoni edhe për historinë e shekullit tonë të 20. Nëse e marrim shembullin e Triolit të Jugut, i cili ka treguar se si edhe këtu përmes rrugës së dialogut mund të arrihet një rezultat i mirë. Këtë mund të vlejë edhe për komunat të cilat janë të banuara nga serbët. Nuk ka alternativë që ata mos të hynë ata në zgjedhje. Zgjedhjet shërbejnë për të marrë pjesë dhe është një drejtë themelore në demokraci”, theksoi Sobotka.

Krahas kësaj, dy kryeparlamentarët Konjufca dhe Sobotka morën pjesë edhe në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti”, ku bashkëbiseduan me nxënës filloristë, në hollin e Kuvendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu