Kosovë, asnjë i arrestuar për incidentin në Festivalin e Birrës

Policia e Kosovës nuk e ka arrestuar ende personin që ka gjuajtur me pistoletë dy net më parë, i cili ishte shkaktari i gjithë asaj që ndodhi në Festivalin e Birrës, që u mbajt në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

U desh vetëm një gjuajtje me pistoletë, që të gjithë qytetarët e pranishëm në festival të shpërndahen nga të gjitha anët, e në tentativë për t’u larguar kanë lënduar njëri-tjetrin.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i kontaktuar nga “Gazeta Express”, ka thënë se deri më tani nuk ka të arrestuar.

“Ende nuk kemi informacione nëse është arrestuar ndonjë person. Hetuesit kanë kryer disa intervista të personave të caktuar, qoftë si dëshmitarë apo edhe të dyshuar”, tha Hoxha. Por, ai tha më tej se hetimet e duhura janë duke u realizuar për të sqaruar rrethanat, si dhe për t’i identifikuar të dyshuarit e mundshëm të përfshirë në këtë incident.

Ndërkohë dyshohet se pistoleta që është gjuajtur aty ka qenë me gaz. Këtë Hoxha e pohon si dyshim, por shton se nuk është konfirmuar.

Policia e Kosovës, rastin e mbrëmjes së të premtes ka nisur ta hetojë si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Si pasojë e lëndimeve të marra nga paniku, që u krijua në “Beer Fest”, janë lënduar 50 persona. /Top Channel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu