Krasniqi: Kurti të gjejë zgjidhjen me grevistët dhe të mundësojë hapjen e shkollave

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se debati parlamentar lidhur me grevat në fillim të sesionit vjeshtor në Kuvend është i domosdoshëm.

Ai tha se do të ishte e padrejtë nëse nuk do të diskutohej për grevat, duke shtuar se kjo është një çështje që e ka prekur secilin qytetar të Kosovës.

“Ne nuk mund të marrim vendime ekzekutive në Kuvend, por ne mund të rrisim vetëdijesimin për një çështje, t’i ballafaqojmë argumentet. Unë shpresoj shumë që edhe pa këtë diskutim do të duhej të kishte zgjidhje. Besoj. Por, ajo që po më shqetëson është mungesa e zgjidhjes, pra ideja e istikamizimit, e betonizimit, që kryeministri e ka pozicionin e vet dhe thotë s’lëvizi prej këtu, nëse doni pakon, llogariteni që po ua përmbushi si kërkesë, tjerat shohim në të ardhmen”, tha ai në televizionin publik.

Krasniqi propozoi që Kurti në vend të aplikimit të pakos për përballjen me inflacionin të diskutojë me sindikatat për një shumë që do të ofrohej si ndihmë për katër muajt e ardhshëm deri në miratimin e Ligjit për Paga.

“Unë po zotohem edhe në emër të PDK-së që nëse ai e bën një marrëveshje të tillë me procedurë të shpejtuar do të punojmë bashkë për të miratuar atë ligj dhe e miratojmë ta zëmë në muajin nëntor”.

Lideri opozitar akuzoi shefin e qeverisë për keqpërdorim të parasë publike me qëllim të blerjes së paqes sociale.

“Ai ka marrë një çek të bardhë që kurrë s’ka ndodhë në historinë e Kosovë, dy herë, një herë 100 milionë, tash 150 milionë euro, pa miratim të Kuvendit për me vendosë qysh don ai me i nda këto mjete, për me e ble paqen sociale në fund të fundit”, tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu