Krerët e partive shqiptare nuk i shkojnë në takim Ahmetit

Sot në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, kreu i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti kishte ftuar për takim të përbashkët liderët e partive shqiptare. Por ky takim do të rezultojë i pasukseshëm, pasi që nuk do të shkojnë liderët e partive politike shqiptare. Kryetarët e ASH, Alternativa dhe Lëvizja BESA kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë, por nuk dihet se a do të jetë kreu i PDSH-së.

Në letrën drejtuar Ahmetit, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi si partner të koalicionit ASH-AAA kanë theksuar se parimisht janë dakord për një takim të tillë për koordinim të qëndrimeve të partive shqiptare, por kërkuan të saktësohet rendi i ditës dhe takimi të shtyhet për ndonjë ditë tjetër pas 17 korrikut.

“Ne mendojmë se mekanizmi politik i Tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe si i tillë, mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptar… do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë, për arsyen organizimit të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare”, nënvizohet në letrën e krerëve të ASH- AAA.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami po ashtu dje informoi se nuk do të jetë pjesë e takimit, por është i hapur për takime të tilla.

“Lëvizja Besa edhe njëherë e konfirmon qëndrimin e vet parimor për të vendosur një model të ri i cili do të vendosë rregulla se takimi i partive parlamentare shqiptare do të realizohet pas formimit të qeverisë së re, që partitë parlamentare shqiptare në qeveri të obligohen me përgjegjësi për realizimin e çështjeve me interes të madh për shqiptarët. Gjithashtu, para përfundimit të mandatit të partive politike shqiptare në qeveri, ato të japin llogaridhënie për realizimin e çështjeve për të cilat janë dakorduar bashkarisht”, nënvizon BESA.

Ndërkohë, nuk ka asnjë përgjigje nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. Nga kjo parti nuk kanë folur se a do të jetë apo jo kryetari i tyre sot në mesditë në hotelin Park në Shkup.

Ahmeti nuk ka hequr dorë nga ky takim, dhe se ai do të jetë i pranishëm, ku pritet të përcjell mesazhe për partitë politike, në këtë periudhë të përpjekjeve për formimin e Qeverisë së re. Nga kjo parti kanë përcaktuar edhe agjendën e tryezës së përbashkët të partive shqiptare.

“Për takimin e ditës së enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, ju propozojmë agjendën vijuese: Statusi i realizimit të përcaktimeve nga Deklarata e Përbashkët në mandatin e kaluar, -Vlerësim i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 15 korrikut 2020 -Krijimi i Këshillit ndërpartiak në përputhje me Deklaratën e Përbashkët dhe përcaktimi i afateve për realizimin e objektivave të përbashkëta”, nënvizon Bashkimi Demokratik në përgjigjen drejtuar partive të tjera parlamentare shqiptare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu