Kujt ia tregoi derën presidenti Thaçi?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është ngutur me deklaratat e bëra të martën, se ‘koha e misioneve të ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar’, thonë përfaqësuesit e partive politike në opozitë, por edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndonëse Thaçi në fjalimin e tij para Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesisht ka apostrofuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe Gjykatën Speciale për krime lufte, nga opozita i tërhiqet vërejtja se në misione ndërkombëtare bën pjesë edhe forca paqeruajtëse e KFOR-it.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se deklaratat e Thaçit ‘janë skandaloze’. Selimi tha se do të donte që misioni i NATO-s, përkatësisht KFOR-it dhe misionet e ngjashme, të mos t’i marrin seriozisht deklarimet e tilla të Presidentit.

“Është e rrezikshme të deklarosh që ka përfunduar koha e misioneve ndërkombëtare në Kosovës, kur kihet parasysh që misioni më i suksesshëm ndërkombëtar në Kosovës është ai i NATO-s, përmes KFOR-it. Kjo është përtej hipokrizisë dhe tash fillon të bëhet e rrezikshme kur një president deklarohet se ka përfunduar koha e misioneve ndërkombëtare, duke mos e përjashtuar misionin e NATO-s”, tha Selimi.

Sipas tij, Thaçi po i sheh misionet e huaja në Kosovës nga prizmi i tij personal dhe i agjendave të tij personale dhe jo nga prizmi institucional.

“Duket se ai është në një krizë jo vetëm politike, por që po rrezikon edhe sigurinë në Kosovë, kur të gjitha këto misione i sheh nga prizmi personal”, tha Selimi.

Ndërkaq, Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se Kosova si shtet i ri, ka ende nevojë për partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se të gjithë, duke përfshi edhe Presidentin e Kosovës, duhet të jenë të kujdesshëm me deklarata.

“Ne kemi nevojë për partnerët tonë kryesor, që vazhdimisht kanë qenë [këtu] nga vendet kryesore si ato të BE-së dhe SHBA-ja. Kemi nevojë që të na qëndrojnë në krah në proceset e integrimit. Prandaj, nga kjo perspektivë unë mendoj që duhet të jemi të kujdesem në gjuhën që përdorim sepse jemi ne ata që kemi nevojë për partneritet, për mbështetje të shteteve mike”, tha Hoti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të martën se në Kosovë funksionojnë “një numër i pajustifikuar i misioneve ndërkombëtare”, duke krijuar përshtypjen se vendi është në një stad shumë të hershëm të tranzicionit”. Sipas tij, tashmë ka ardhur koha, kur institucionet e Kosovës “duhet të sillen si zot shtëpie në vendin e tyre”.

“Me qindra milionë euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit të EULEX”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shprehur mospajtime edhe në lidhje me Gjykatën Speciale, e cila pritet të nisë punën me hapjen e rasteve të dyshuara për krime lufte, ku në radhë të parë nën “llupën e drejtësisë”, pritet të jenë disa nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, deputeti Selimi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në vazhdimësi Thaçi, deri tani ka përkrahur misionin e EULEX-it dhe formimin e Gjykatës Speciale.

“Thaçi është ndër sponsorizuesit kryesorë të votimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës. Madje, ai ka bërë presion mbi deputetët në Kuvend që ta votojnë atë. Andaj, është krejt hipokrizi tashmë ta thuash të kundërtën e asaj çka e ka thënë para dy vjetësh, para se të formohej Gjykata Speciale. Deklarimi i tij tash kundër misionit të EULEX-it, po ashtu është hipokrizi”, tha Selimi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohët e fundit, po mban një kurs mjaft të ashpër të retorikës politike karshi qasjes edhe të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në veçanti ndaj kushtëzimit të liberalizimit të vizave dhe proceseve integruese.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Anton Vukpalaj, tha se deklaratat e tilla të presidentit Thaçi mund të kuptohen si një lloj presioni karshi Bashkimit Evropian për të ndryshuar qasjen ndaj Kosovës.

“Kjo ndodh për shkak se kohëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të premtimeve të shumta që BE-ja është duke ua dhënë shteteve të rajonit, kurse Kosova po ka probleme edhe me liberalizim të vizave”.

“Pra kemi një stagnim për sa i përket këtij procesi të integrimit të Kosovës. Po ashtu, ju e dini se brenda BE-së kemi edhe pesë vende anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe në këtë drejtim nuk është bërë asgjë që avancohen të ketë proces të integrimit”, tha Vukpalaj.

Kurse sa u takon deklarimeve për Gjykatën Speciale Vukapalaj, mendon se ato pohime më shumë bëhen vetëm sa për konsum të brendshëm politik sesa si kundërshtim i vërtetë i asaj gjykate./rel/