Kulmi i banalitetit: Dy ministra të BDI-së dhe një ish ministër në hapjen e një zyre

Ministri i drejtësisë Valdet Xhaferi mori pjesë në hapjen solemne të zyres së përmbarueses  të parë shqiptare për territorin e Gjykatës themelore Shkup 1 dhe Gjykatës themelore Shkupi 2, Monika Muça.

Me këtë rast, ministri Xhaferi ka uruar përmbaruesen  e re zonja Muça  duke i dëshiruar sukses dhe punë të mbarë si dhe ballafaqim më të lehtë me sfidat me të cilat përballet gjatë ushtrimit të profesionit të tij.

Kuptohet se përmbaruesja  e  re zonja Monika Muça, falënderoi ministrin e drejtësisë për emërimin dhe mbështetjen e ofruar, si dhe për prezencën gjatë hapjes solemne të zyrës së saj.

Me këtë rast, ministria e drejtësisë mbetet e përkushtuar në rritjen e përfaqësimit adekuat edhe në këtë fushë të rëndësishme si për kreditorët ashtu edhe për debitorët shqiptar që të kenë mundësi në gjuhën e tyre dhe më përafërsisht të njoftohen në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me përmbarimin.

Ndryshe në këtë takim, përveç ministrit të drejtësisë Valdet Xhaferi morën pjesë edhe  ish ministri shqiptarë të këtij dikasteri Adnan Jashari dhe ministri i Mjedisit Jetësor Bashkim Ameti.

Analistët shqiptarë vlerësojnë se në mungesë të projekteve serioze shqiptare, kuadrot e BDI-së po e banalizojnë postin ministror duke marrë pjesë nga dy-tre ministra në hapje të një zyre.

“Në kësi evenimente do të ishte e tepërt të marrë pjesë edhe një udhëheqës sektori në ndonjë ministri, e lëre më dy-tre ministra. Kjo paraqet vërtetë skandal”, deklaroi për gazetën “Lajm” eksperti Ramadan Mehmeti. Sipas tij mungesa e projekteve serioze, krijon situata të këtilla qesharake. “Në vend se ministrat të angazhohen që të lirojnë qytetarët, respektivisht votuesit e tyre nga kthetrat e përmbaruesve, ata shkojnë ua përurojnë edhe zyrat. Nuk e di si do të arsyetohen nesër-pasnesër para qytetarëve”, thekson Mehmeti.

Përmbaruesit në Maqedoni “thithin” për çdo vit miliona të qytetarëve, të cilët në një situatë të rënduar ekonomike, shpeshherë vonohen në shlyerjen e borxheve, që më pas nga përmbaruesit realizohen me kosto shumë më të lartë. (a.h.)

111-kulmi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu