Kurti nga Prizreni, mesazhe “romantike” në emër të Lidhjes historike

Nga Prizeni, në 145-vjetorin e Lidhjes së atyshme, kryeministri Albin Kurti, bëri thirrje për më tepër bashkëpunim mes shqiptarëve për të çuar përpara interesat e tyre politike, duke e quajtur 10 qershorin po aq të rëndësishëm sa 28 nëntori(Pavarësia e Shqipërisë) dhe 17 shkurti(Pavarësia e Kosovës).

“Prandaj 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik shqiptarëve e i cili vazhdon edhe sot. Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe ne si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja e Prizrenit shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë po këtu…”, tha Kurti.

“Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb europian.

Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, evropian e amerikanë”, vijoi ai me gjuhë romantike, larg realitetit të gjërave.

Në realitet, as vetë Kurti nuk ka ofruar risi në traditën e mbrapshtë politike të shqiptarëve duke mos patur në thelb bashkëpunimin apo unitetin në frymën që përçon paçka ndarjeve të natyrshme.

Nga Shqipëria, në ceremoni ishte presidenti Begaj, i cili ofroi mesazhe të ngjashme.

“Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri-tjetrit, nëse ne ruajmë boshtin tonë moral, nëse nuk harrojmë te shkuarën dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë, vlerat e paqes dhe unitetit”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu