Kush do jetë pasardhësi i Zelenskyy-t? BE e frikësuar, bën paralajmërimin e fortë: Ja plani i Rusisë!

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po mendojnë të gjejnë një zëvendësues për Volodymyr Zelenskyy. Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, citon La Reppublica. Uashingtoni ka kontaktuar me ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenko, liderin e Partisë Solidariteti Evropian dhe kryetarin e Bashkisë së Kievit, Vitaly Klichko. Sipas shërbimit rus, të gjithë këta politikanë mund të kërkohen nëse situata në vijën e frontit përkeqësohet ndjeshëm ose nëse lind nevoja për të zëvendësuar Zelensky sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ana e tij, Bashkimi Europian ka ngritur alarmin se Rusia po përgatitet për të kryer akte sabotazhi dhe sulme me bomba në shtetet e Unionit. Alarmin e kanë ngritur agjencisë europiane të inteligjencsës, citon Financial Times.

“Ne vlerësojmë se rreziku i akteve të sabotimit të kontrolluara nga shteti rus të rritet ndjeshëm. Rusia duket e gatshme për të kryer operacione në tokën europiane me një potencial të lartë dëmtimi”, u shpreh Thomas Haldenwang, kreu i Inteligjencës së Brendshme Gjermane.

Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e raportit të cituar nga Financial Time si të pabaza dhe jo realiste. Putini ndihet ‘i guximshëm’ aktualisht, theksojnë analistët dhe do të kërkojë të shtyjë linjat e luftimeve sa më fort që të mundet në Europë, në fronte të shumta, qoftë përmes dezinformimit, sabotimit apo edhe hakerimit, kërcënim ky i paralajmëruar nga NATO disa ditë më parë. Sakaq, marrja e disa qyteteve ukrainase nga Rusia ka shtyrë Francën që të dërgojë 100 ushtarë francezë të Legjionit të Huaj të cilët janë vendosur në rajonin e Donjetskut në Ukrainën Lindore.

Lajmin e ka bërë të ditur për mediat ndërkombëtare ish-nënsekretari amerikan i shtetit, Stephn Bryen. Sipas tij Franca synon ta forcojë këtë kontingjent në të ardhmen e afërt me rreth 1 mijë e 500 ushtarë. Iniciativa e Francës për të dërguar trupa ushtarake në Ukrainë nuk ka gjetur mbështetjen e Italisë. Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka kundërshtuar Francën, duke thënë se NATO nuk duhet të dërgojë trupa në Ukrainë, pasi do të kishte një përshkallëzim të situatës.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë në Washington po e konsiderojnë dërgimin e trupave në Ukrainë vetëm nëse Kievi humbet luftën. Udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Hakeem Jeffries në një intervistë për CBS News, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën për të parandaluar një luftë më të gjerë, në të kundërt duhet të përfshihet në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

“Ne nuk mund ta lëmë Ukrainën të bjerë sepse nëse bie, atëherë ka një gjasë të konsiderueshme që Amerika do të duhet të futet në konflikt – jo thjesht me paratë tona, por me ushtarët tanë dhe armatimet tona”, tha Hakeem Jeffries, Udhëheqësi Demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve.

Si kundërpërgjigje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka paralajmëruar se vendosja e trupave të NATO-s në Ukrainë do ta bënte “të pashmangshëm” një konflikt të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe bllokut ushtarak të udhëhequr nga SHBA.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu