Kush është lavdrim Muhaxheri, imazhi i terroistëve shqiptarë në ISIS-it (FOTO)

Të gjithë e mbajnë mend Lavdrim Muhaxherin dhe pamjen duke ia hequr kokën një të mituri sirian. Por, kush është ai në fakt? Dikur ishte i pari i shqiptarëve në ISIS. Tashmë ka mbetur imazhi i terroristëve shqiptarë, apo ‘ylli’ propagandistik i kësaj organizate që tronditi botën.

Më shumë sesa muxhahedin në terren, Lavdrim Muhaxheri është imazhi i xhihadit që është përdorur nga organizata terroriste Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (ISIS) për të qenë atraktiv tek shqiptarët.

I lindur në fshatin Dushkajë të Kaçanikut në mars t vitit 1989 dhe duke qenë vetëm 27 vjeç, ai tashmë është shndërruar pak a shumë në ‘yllin’ apo simbolin e xhihadizmit terrorist te shqiptarët.

Sipas të dhënave që gazetametro.net i ka mbledhur në terren, konfirmohet se Muhaxheri nuk ishte radikal në rininë e hershme, por që shumë shpjet u radikalizua. Njerëz që e njohin atë nga afër, besojnë që radikalizimi i tij ka filluar nga vizitat e shpeshta të imamëve radikal nga Maqedonia që e frekuentuan rregullisht në shtëpinë e tij në Kaçanik. Ai po ashtu vuante nga disa komplekse personale si pasojë që është rritur pa njërin prind, pa nënën e tij, që i ishte divorcuar me babanë e tij, e që babai më pas u martua me një grua tjetër.

Kjo kishte ndikuar në karakterin e Muhaxherit të ishte më ndryshe nga fëmijët e tjerë të lagjes. Ishte më i tërhequr dhe më i interesuar në shkollën e tij, nga ku ai do të përparonte dukshëm, sidomos në gjuhën angleze që i ndihmoi edhe të punësohej në kampin “Bondsteel” në Ferizaj, që është baza kryesore e ushtarëve amerikanë, në kuadër të KFOR’it në Kosovë.

Por atij nuk ju nevojit shumë kohë për tu bërë ‘ylli’ i fanatikëve islamist. Ishte vetëm 27 vjeç kur Muhaxheri arriti të futet në top-listën e INTERPOL-it, i kërkuar për vepra që ndërlidhen me terrorizmin, dhe krejt këtë vëmendje e arriti në vitin 2014 kur u shfaq krenar në llogarinë e tij në “Facebook” duke prerë në fyt një fëmijë sirianë që e akuzonte për informator të të pafeve.

Ishte ky edhe momenti i tij i lavdisë jashtë ISIS’it, por i humbjes së pozitës brenda organizatës, pra pas këtij incidenti më Lavdrim Muhaxerin nuk do të ishte komandanti i shqiptarëve në ISIS, ani pse kjo nuk ishte arsyeja kryesore. Siç gazetametro.net ka raportuar më parë, atë e zëvendësoi në komandë Ridvan Haqifi, që sipas rregullave të xhihadit, që janë po ato të njëjtat si në adhurimet tjera (edhe ai i namazit), duhet të prijnë njerëzit më të dijshëm në dije fetare- dhe Haqifi ishte një imam i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Por, lavdia e Muhaxherit do të rikthehej në një mënyrë tjetër, kur organizata ISIS e Abu Beker El-Bagdadit kishte nevojë që të shfaqte më shumë tipare të shtetit, ata lansuan valutën e tyre, që quhet “Dinari i artë”. Fytyra e kësaj fushate propagandistike ishte i riu kosovar, Lavdrim Muhaxeri që u rrit në një fshat malor të ‘Karadakut’ në një familje tash jo pak radikale në fe.

Radikalizmi i tij nuk ishte krejt i rastësishëm, ani pse institucionet kosovare nuk reaguan me kohë që ta parandalonin. Janë edhe sot në internet videot kur ai me xhihadistin e parë kosovarë të vrarë në Siri, Naman Demollin shfaqën urrejte për ndërtimin e katedrales serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Ai u pa edhe në vënien e themeleve të xhamisë që tentonte ta rivalizonte katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, një iniciativë atëherë nga një grup njerëzish, që më vonë do të themelonin partinë e dytë islamike në vend, LISBA-n e Fuad Ramiqit.

Por, as atëherë nuk u arrestua.

Lavdrim Muhaxeri nuk u arrestua as kur u kthye për herën e parë në Kosovë nga xhihadi në Siri. Në Ramazanin e vitit 2013 ai ishte në Kaçanik, madje morri pjesë aktivisht në aktivitet e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), për të shënuar këtë muaj të shenjtë për myslimanët, por ai u la i lirë që të punonte me OJQ-në e tij kurrë të paregjistruar në shtet “Rinia Islame -Kaçanik”, nga e cila shumë anëtarë përfunduan në ISIS. Arsyet e mos arrestimit të tij nuk ka mundur t’i konfirmoj gazetametro.net.

Lidhjet e tij me strukturat përgjegjëse të organizmit të jetës fetare në Kosovë, siç është BIK-u ishin të fuqishme, dhe pos aktivizimit të tij në ngjarje të organizuara nga BIK, ai madje kishte pretenduar se ka emëruar imamë të BIK në Kaçanik, siç ishte rasti i imamit e xhamisë qendrore në këtë qytet.

“Mos i arsyetoni ata idiotë. Sepse, pasha All-llahun ata për me marr poena te Enis Rama e te Shefqet Krasniqi e te Atifete Jahjaga… dalin në Hutbe dhe i shajnë muxhahedinët. Ai fortë mirë e dinë se ne kemi qenë sebep (shkaktar) që ai ka hy imam në atë xhami”, pati komentuar Muhaxheri në facebook para se ISIS të nxirrte udhëzime të reja strikte që liderët e luftës të mos flisnin më drejtpërdrejt me emër në rrjete sociale, por përgjegjësinë për komunikim ia la zyrës që e drejtonte ish-zëdhënësi dhe miku i El-Bagdadit, tashmë i vrarë Abu Muhammad El-Adnani.

Muhaxheri për jnë kohë është raportuar se është vrarë nga luftarët kurdë në Siri, por në të vërtetë ai vetëm se ishte plagosur. Rishfaqja e tij në publik, bënë të ditur se ai gjendet i gjallë dhe aktiv në ISIS në diku në Siri. Edhe pse, duhet pasur parasysh se tregimi i vendndodhjes së tij, mund të jetë një mashtrim për opinionin dhe ndjekësit e terriorizmit, që tenton të fsheh vendndodhjen e tij të saktë.

Sidoqoftë, gazetametro.net, bën të ditur se së fundmi ai është lajmëruar nëpërmes internetit nga Raqqa e Sirisë, e që e ka marrë vetën nga plagët e rënda. Lavdrim Muhaxheri, shqiptari më i kërkuar për terrorizëm, nga Interpoli dhe aleatëve kundër terrorizmit në botë. /gazetametro/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu